
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kërkesë në GJKKO, ku ka kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së akteve të hetimit që lidhen me të. Veliaj pretendon se janë konstatuar “shkelje të rënda procedurale”, të cilat sipas tij e bëjnë të pavlefshëm çdo veprim hetimor dhe provë të marrë si pasojë e tyre.
Lidhur me hetimin ndaj tij, në kërkesën e zgjeruar drejtuar GJKKO-së, kryebashkiaku Veliaj konstaton se:
* Hetimi i çështjes nga një shtetas që nuk ka pasur kurrë statusin ligjor të prokurorit, pra një person që juridikisht nuk ka qenë asnjëherë prokuror sipas legjislacionit shqiptar;
* Ushtrimi i ndjekjes penale nga një person në konflikt të pastër interesi me subjektin e hetimit;
* Përdorimi i një kallëzimi penal të falsifikuar si bazë për nisjen e hetimeve, pa asnjë verifikim të identitetit të kallëzuesit;
* Kryerja e veprimeve hetimore pa regjistrim të procedimit penal, për të shmangur afatet, kontrollin gjyqësor dhe kufizimet ligjore;
* Tejkalimi i afateve hetimore përmes fshehjes së statusit të personit nën hetim;
* Sekuestrimi dhe përdorimi i të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate dhe leximi i korrespondencave private në mungesë të çdo baze e autorizimi ligjor;
* Cenimi i së drejtës për mbrojtje efektive, përmes refuzimit të kohës së nevojshme për njohje me aktet;
* Përdorimi i ekspertëve të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë;
* “Fraksionimi” i çështjes si një mjet për të cenuar të drejtën për mbrojtje dhe sigurinë juridike;
Përdorimi i medias si zgjatim i akuzës, përmes rrjedhjeve të qëllimshme, manipulimit të opinionit publik dhe mosveprimit institucional kur sekreti hetimor rrjedh në publik.
Kërkesa me 77 faqe, e cila është depozituar tashmë në GJKKO, dokumenton me prova shkeljet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, për shkak të të cilave Veliaj kërkon pavlefshmërinë e hetimeve të kryera ndaj tij, dhe rikthimin e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe paanësisë së hetimit.



