Gazetari Sokol Bregu duke folur në MCN Live për Ergys Agasin paralajmëroi se në vitin 2026 do të dalin gjëra më të rënda, sa i takon lidhjes së tij me krimin e organizuar. Bregu theksoi se vitin tjetër mund të dalin fakte që lidhen me Hipotekën, tjetërsimin e pronave, lidhjet e Agasit me krimin dhe policinë.
“Një lidhje midis shtetit dhe krimit. Shumë jemi duke diskutuar ku e gjeti Agasi këtë fuqi, por kjo tashmë është në duart e SPAK-ut. Ajo që do shohim më vonë që janë në video, janë lidhjet e tij të vërteta me krimin. Këtu hetimi është fokusuar në batërdinë e madhe korruptive që është bërë në AKSH. Absolutisht do dalin gjëra më të rënda sa i përket krimit të organizuar. Korrupsionin e pamë, është dëmi më i madh që është bërë në Shqipëri. SPAK-u e thotë qartë që e ka ndarë procedimin penal. Ky procedim penal lidhet vetëm me AKSHI-n. Përderisa ai guxon dhe kërcënon një anëtar të kabinetit qeveritar, dhe enkas SPAK e ka futur në këtë dosje, vetëm si ‘modus operandi’, kur ai kërcënon Gjiknurin...Për të vërtetuar që ky njeri i bën gjëra të tilla, që është ky prapa pengmarrjes. Modus Operandi është që ti i gjen një dyshim të arsyeshëm që ka kontakte me grupet kriminale. Nivelet institucionale në këtë dosje mund të jenë të larta. Në 2026 do dalin pjesët e tjera, mund të vijë Hipoteka, tjetërsimi i pronave, lidhja me krimin dhe policinë. Dumani është futur si një lloj ndihme, për të parë procedimin tjetër penal”.
Duke bërë një rezyme të zhvillimeve të vitit 2025, gazetari tha se Shqipëria çaloi në dhënien e drejtësisë, por SPAK-u shkoi deri në pikën më të lartë të goditjes së politikës, duke iu referuar Veliajt.
“2025 është karakterizuar një vit me më shumë çështje të bujshme, arrestime, se sa me ngjarje të rënda kriminale. Ajo që ndodhi në Rinas, është vrasja që zuri vend në të gjitha mediumet mediatike për një kohë të gjatë. Ishte vrasja që tronditi opinionin publik për shkak të vendndodhjes. Vrasja që vuri në pikëpyetje sistemin shqiptar ishte vrasja në sallën e gjyqit. Vrasja tjetër që do veçoj është ajo e Shkodrës, vajza e dyfishtë, dy njerëz të pafajshëm që u vranë në lokal. Atentati ishte për një anëtar të familjes Bajri. Ky vit do mbahet mend edhe për humbjen e dy adoleshentëve, një në Maliq dhe një në Durrës.
Edhe në këtë vit Shqipëria çaloi në dhënien e drejtësisë. Po thellon një hendek të madh mes asaj që e quajmë ligj dhe drejtësi. Drejtësia s’mund të gjendet në asnjë cep të globit, por në Shqipëri ajo që të rëndon është që nuk respektohet as ligji. Shpesh herë njeriu që ka para çdo lloj krimi që kryen, del nga burgu. Njeriu që korrupton sistemin, s’ka asnjë lloj problemi. S’e di ku e sheh BE pikat që na jep një plus në reformën në drejtësi, por kam përshtypjen i referohet SPAK-ut. Ky është viti që SPAK-u shkoi deri në pikën më të lartë të goditjes së politikës. Mos harrojmë që është viti kur u arrestua kryebashkiaku Veliaj. Për herë të parë bëri disa goditje të krimit të organizuar. Për herë të parë u dëgjua grupi i Pojës. Në fund fare viti u mbyll me të paprekshmin Ergys Agasi”.



