Modelja Armine Harutyunyan u zgjodh si modele nga Gucci në vitin 2019, pikërisht për të treguar një model ndryshe të bukurisë. Ajo është një modele 23 vjeçare armene dhe fakti që është ndryshe nga modelet e tjera ka sjellë një reagim shumë të ashpër në rrjet.
E gjitha kjo lidhet me pamjen e saj fizike, vajza është ndryshe nga modelet e tjera me tipare të forta dhe të mprehta, vetulla shumë të trasha, hundë të kërcyer dhe për këtë arsye dhjetëra ndjekës janë përfshirë në një fushatë bullizmi ndaj saj online.
Por Gucci e zgjodhi atë pikërisht për këtë arsye për të ofruar një model të bukurisë jo-tradicionale, në emër të përfshirjes dhe pozitivitetit të trupit.
Armine debutoi për herë të parë në pasarela vitin e shkuar përgjatë “Milan Fashion Week”. E tronditur nga kritikat, ajo zgjodhi t’iu përgjigjet me heshtje.
Gjatë një interviste për mediat italiane, 23-vjeçarja u shpreh se e ka kuptuar që nuk mund t’i ndalojë njerëzit të flasin dhe për këtë arsye zgjodhi t’i injorojë. Sipas saj i gjithë sulmi rreth pamjes së saj shpreh frikën rreth gjërave ndryshe dhe paaftësinë e të reaguarit ndaj risive.



