
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini të hënën është shprehur përmes një video-mesazhi se vendimin për fillimin e vitit shkollor do ta marrë Task-Forca për koronavirusin dhe kjo në varësi të situatës me përhapjen e virusit në vend.
“Ne, stafi i MASR, agjencitë tona vartëse, disa nga drejtorët e shkollave, disa nga mësuesit, jemi duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”, është shprehur Shahini.
Shahini solli në vëmendje edhe përvojën e vendeve të tjera, si p.sh, Gjermanisë dhe Turqisë.
“Gjermania, tashmë i ka hapur shkollat, por ka qenë e detyruar t’i mbyllë përsëri ato për shkak të përhapjes së virusit. Turqia ka vendosur të mos i hapë shkollat, por të punojë vetëm në kushte shtëpie fillimisht. Ndërsa Shqipëria do ta marrë këtë vendim kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor”, nënvizoi ajo.
Ministrja e Arsimit u shpreh se pas orientimit nga Taks Forca do të kryhen konsultime me prindërit, sindikatat dhe parlamentin e nxënësve.
“Në momentin e parë që të kemi një orientim nga Task-Forca për Koronavirusin se në çfarë forme do të mund të fillojë ky vit shkollor, ne do t’i bëjmë të gjithë konsultimet e nevojshme me këshillat e prindërve, me sindikatat dhe parlamentin e nxënësve dhe do t’ju informojmë çdo ditë për vendimmarrjen, si dhe për mënyrën se si do të zbatohet plani ynë për fillimin e vitit të ri shkollor”, tha Shahini.
Kujtojmë se më herët, ishte Partia Demokratike që akuzoi Ministrinë se nuk kishte asnjë plan dhe nuk kishte marr masa për fillimin e vitit të ri shkollor.



