Kurti ashpërson masat e reciprocitetit/ Thaçi e Lajçak kundërshtojnë, Hoti paralajmëron se do ta heqë

Kurti ashpërson masat e reciprocitetit/ Thaçi e Lajçak kundërshtojnë, Hoti paralajmëron se do ta heqë

Në prag të largimit nga detyra, Qeveria Kurti ka marrë vendim për ashpërsimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë. Ka vendosur që asnjë maune të mos hyjë nëse në dokumentet e saj nuk shkruan Republika e Kosovës. Por ky vendim nuk është mirëpritur nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili ka kërkuar largimin e menjëhershëm të këtyre masave. Ndërsa i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar shfuqizim të menjëhershëm të masave të ndërmarra nga Qeveria Kurti ndaj Serbisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë.

“Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës.”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social Facebook.

I mandatuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se veprimet e fundit të qeverisë në detyrë të Kosovës “nuk e ndihmojnë vendin, por e vënë atë në kurth”.

“Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Sipas zëvendësministrit të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Edison Jakurti, barrierat e vazhdueshme nga Serbia janë ndër arsyet për ashpërsimin e këtyre masave.

“Grupi ndërinstitucional ka identifikuar tutje barrierën që autoritetet në Serbi kanë vendosur ndaj transportit të mallrave, duke u kërkuar operatorëve ekonomikë nga Republika e Kosovës që të pajisen me leje hyrëse nga Zyra Ndërlidhëse në Prishtinë para se të hyjnë në territorin e Serbisë”, ka thënë Jakurti.

Sipas tij, krahas gjetjeve të grupit ndërinstitucional, MEPTINIS ka vërejtur se autoritetet në Serbi nuk e njohin personalitetin juridik të shoqërive tregtare të themeluara sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Qeveria konstaton se barrierat e Serbisë po vazhdojnë t’i dëmtojnë eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës dhe të shkaktojnë deficit tregtar për Republikën e Kosovës. Rrjedhimisht, duke u mbështetur në parimet dhe arsyet e sipërcekura, Qeveria vendosi të plotësojë si në dispozitiv masat e reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë. Edhe emri 'Kosovë' është kushtetues, mirëpo së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit 'Republika e Serbisë'. Ne iu kundërvumë me masë reciproke”, ka theksuar Jakurti.

Qeveria Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit.

Mirëpo, Serbia ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa u shfuqizuar të gjitha masat, përfshirë reciprocitetin.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u kishte vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy