
Pyetjes se përse elita e Shqipërisë nuk e donte rezistencën ndaj pushtetit, historiani Paskal Milo iu përgjigj duke thënë se elita e asaj kohe nuk kishte formim revolucionar. Sipas tij politika e viteve më parë ka qenë një politikë kafeneje që mendonte me stilin e vjetër se s’mund të përplasemi me shtetet e mëdha. Ai po ashtu theksoi se nëse Shqipëria nuk do kishte luftuar në Konferencën e Paqes të Parisit më 1946-ën ku anglezët ishin të përkushtuar për t’ia dhënë Greqisë Shqipërinë e jugut, vendi do ishte copëtuar.
“Është sepse këta njerëz nuk kishin formim revolucionar. Lufta e Dytë Botërore e ndau shoqërinë kudo në të gjitha vendet. Ky nuk është vetëm fenomen shqiptar, ishte i përbotshëm. E dyta klasa politike që përfaqësoi Ballin Kombëtar ishte një klasë politike kafeneje dhe jo revolucionare, e bënte politikën duke qëndruar në kafene, nuk e kishte nervin e luftës antifashiste. Mendonte me stilin e vjetër se s’mund të përplasemi me të mëdhenjt, se ishim të vegjël dhe të ziheshin të tjerët. Nëse Shqipëria nuk do kishte luftuar në Konferencën e Paqes të Parisit më 1946-ën ku anglezët ishin të përkushtuar për t’ia dhënë Greqisë Shqipërinë e jugut. Kjo është meritë e njohur. Duhet të jemi të ndershëm që të pranojmë se Lufta antifashiste e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi”, tregoi historiani.



