Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin.
Kryeministri Edi Rama, ka uruar besimtarët bektashian për festën. Përmes një postimi në “Facebook”, ku ka publikuar dhe një foto të Imam Aliut, Rama uron besimtarët: “Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian”.
Një vit më parë festa e Sulltan Novruzit u festua në kushtet kur gjithë i vendi ishte izoluar për të parandaluar përhapjen e virusit Covid.
Në vendin tonë festa e Novruzit mbahet më 22 mars, por Viti i Ri Persian nis më 21 mars dhe vende të ndryshme të botës, celebrimet kryen nga 21 marsi deri në 24 mars, sipas lokaliteteve.
Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.




