Avokati Indrit Sefa e konsideroi skandalin e AKSHI-t një nga më të mëdhatë në prokurimet publike shqiptare. Sipas tij video-përgjimet e Ergys Agasit janë një dhuratë për SPAK-un për të luftuar korrupsionin dhe do të dalin shumë prova që do shërbejnë për çmontimin e shumë grupeve kriminale.
Duke folur në emisionin "Factcheck" juristi u shpreh:
“AKSHI është një nga skandalet më të mëdha në prokurimet publike shqiptare, me vlera marramendëse, për atë që konsiderohej një nga arritjet më të mëdha të qeverisë, e-Albania. SPAK-u ka arritur në përfundimin që gjithë kjo arritje e qeverisë është një grup i strukturuar kriminal. Nga ana ligjore s’e konceptoj dot akoma, se si njeriu mund të arrijë deri në këtë nivel që të përgjojë vetën dhe gjithë njerëzit që e rrethojnë. Sa volume dhe bestseller-a do dalin nga ai përgjim. Nëse Sky Ecc ka qenë dhuratë për SPAK-un, këto video-përgjime do jenë një dhuratë nga Perëndia dhe z.Agasi për të luftuar korrupsionin. SPAK-u ka në dorë prova, dëshmi, që do t’i shërbejnë për çmontimin e shumë grupeve kriminale në lidhje me aferat korruptive në institucionet shtetërore. Prokurori mund të kërkojë edhe grup prokurorësh. Nëse do ketë vepra penale nga më të ndryshmet patjetër që do veçohen”.



