
Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, për tensionimin e situatës në Veri të Kosovës, shprehu shqetësim për marrëdhëniet me partnerin kryesor si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një lidhje për studion e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se pati një reagim shumë të ashpër të sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili ishte shumë i qartë duke thënë se nga këto veprime të institucioneve të Kosovës mund të dëmtohen marrëdhëniet me SHBA.
Diçka e tillë të thotë jo siguri dhe cenim i sigurisë kombëtare se dihet se garanutesi i sigurisë në Kosovë është SHBA.
Me veprimet tona kemi shkaktuar incidente në Veri, për të cilat qeveria e Kosovës ishte paralajmëruar nga ekspertë të ndryshëm se do kishte eskalim të situatës së sigurisë.
Siç duket Kryeministri i Kosovës vendosi të çojë përpara axhendat e tij politike pa marrë parasysh dëmtimin që mund të shkaktojë për Kosovën dhe sigurinë e saj.
Këto komente të përfaqësuesve ndërkombëtarë, sidomos SHBA mund të konsiderohen shumë të rënda dhe janë sinjale të cenimi drejtpërdrejtë i sigurisë kombëtare të Kosovës.
Policia e Kosovës kreu detyrat që iu kërkuan dhe pati reagim institucional, pa dhunë të theksuar, por vetëm zbatim të ligjit.
Ka pasur inkurajim nga SHBA dhe BE për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, por Prishtina ka garantuar se nuk do krijohen situata që do cenojnë sigurinë.
Vetëm Beogradi dhe partneri Rusia, janë të interesuar për josigurinë.
Elezi shtoi se asnjëherë Prishtina zyrtare nuk e ka kontrolluar Veriun e Mitrovicës, duke përmendur strukturat sekrete serbo-ruse, Sipas tij, kjo zonë është përdorur dhe për aspekt biznesi nga strukturat kriminale.
Për shpalljen e gjendjes së gatishmërisë për luftë nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe ndonjë skenar që Serbia të ndërhyjë ushtarakisht në Veri, ai shtoi se në aspektin e sigurisë këto janë çështje të njohura ku në fillim bëhet mbledhja e Këshillit të Sigurisë dhe Presidenti shpall gatishmërinë.
Presidenti vendosi ushtrinë në dispozicion dhe u nis në drejtim të Kosovës. Ekziston rreziku i tentimit për të goditur në forma të ndryshme atë pjesë.
Ka mundësi që Serbia të fusë forcat e saj për të aneksuar Veriun e Mitrovicës, duke përdorur si alibi rrezikun që i kanoset serbëve nga veprimet e policisë së Kosovës.



