Një person me aftësi të kufizuara u shokua kur gjeti një letër plot me fyerje në vendin e parkimit të rezervuar për personat që i përkasin kategorisë së tij. Ngjarja ka ndodhur në një qendër tregtare në Monza. Një shofer, i cili kishte marrë gjobë pasi kishte parkuar në hapësirën e dedikuar personave me aftësi të kufizuara, ka shkruar një letër plot fyerje për personin që ka sinjalizuar shkeljen.
“Për ty handikapat që dje ke njoftuar policinë thjesht se përtove të bësh disa metra më shumë, dua të të them këtë: mua 60 euro nuk më prishin punë, por ti do të mbetesh gjithë jetën thjesht një handikapat. Jam i lumtur që të ka ndodhur kjo fatkeqësi”, thuhet në letrën e ngjitur në parking.
Prokuroria e Monza-s ka nisur një hetim në lidhje me këtë ngjarje. Pamjet e kamerave të sigurisë e tregojnë shoferin kur ngjit letrën në mur, ndërsa drejtuesit e qendrës tregtare e dënuan këtë akt.
Pasi është identifikuar mjeti, pritet që shoferi të përballet me akuzën e fyerjes ndaj personave me aftësi të kufizuara.



