
Gjenerali amerikan Dan Caine, kryetar i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, ka dhënë detaje të reja rreth sulmit të së shtunës ndaj Iranit, duke e cilësuar si një operacion të planifikuar dhe të ekzekutuar në disa fronte ushtarake.
Sipas Caine, bombarduesit strategjikë B-2 u nisën nga SHBA të premten, në një fluturim 18-orësh drejt objektivave të tyre, si pjesë e operacionit të koduar “Çekani i Mesnatës”. Ai bëri me dije se gjatë këtij operacioni u përdorën taktika mashtruese dhe manovra për të devijuar vëmendjen e mbrojtjes iraniane.
“U përdor zjarr shtypës me shpejtësi të lartë për të mbrojtur avionët B-2, dhe nuk kemi asnjë të dhënë se forcat iraniane kanë hapur zjarr ndaj nesh,” deklaroi Caine nga Pentagoni. Ai shtoi se avionët luftarakë iranianë nuk janë ngritur në ajër dhe duket se as sistemet raketore nuk kanë reaguar.
Operacioni vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa SHBA përpiqet të mbajë nën kontroll situatën e sigurisë.



