
Kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit për 'Javën e Europës' u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar detyrat për hapjen e negociatave.
Sipas Ramës, ndonëse nuk dihet çfarë do të ndodhë në qershor, Shqipëria do të vazhdojë t’i bëjë detyrat e saj drejt rrugës evropiane. Sipas tij, janë të gjitha rrethanat që brenda këtij viti do të hapen negociatat e Shqipërisë me BE.
“KE tha vitin e kaluar se në këtë qershor do të çelen negociatat dhe në dhjetor do të bëhet konferenca e parë, duke vendosur dhe disa detyra të tjera, që janë normale. Ajo që ka shumë rëndësi për ne është se u hap dera që Shqipëria të fillojë procesin. Kushedi çfarë do ndodhë në qershor! E them këtë sepse duhet të presim ditën. Ne do vazhdojmë t’i bëjmë detyrat tona, jo se i kërkon komisioni, por se në fund të gjithë duhet të jenë të kënaqur, por edhe sepse e kërkon e ardhmja e vendit tonë. Integrimi është një proces që na jep një fuqi njohjeje, dijeje, shtetbërjeje, që nuk na buron nga tradita, sepse tradita nuk është aty për të na mësuar se si bëhet një shtet funksional demokratik dhe për këtë arsye na vjen nga e vetmja rrugë, që është BE. Askush nuk e di këtu se çfarë do të vendoset në qershor, por jam i bindur se ky është viti ku të gjitha rrethanat janë dhe do të jenë aty për të çelur negociatat”, deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama gjithashtu iu ka bërë thirrje të gjithë ambasadorëve të huaj në Shqipëri, kryesisht atij të Bashkimit Evropian, të mos lejojnë përfshirjen e procesit të negociatave në lojën politike. Kreu i qeverisë ua ka bërë të qartë diplomatëve ndërkombëtarë se e vetmja rrugë e Shqipërisë është Bashkimi Evropian dhe se qeveria shqiptare nuk do të ndalet deri në realizimin e saj.
“Të gjithë ambasadorëve dua t’iu them se për ne nuk ka rrugë tjetër, është e vetmja rrugë, dhe pavarësisht se çfarë ndiejmë ne kur duhet të kalojmë detin me këmbë, për shkak se ka një problem këtu e një problem andej, ajo që dimë është se kjo është e vetmja rrugë dhe do vazhdojmë të këmbëngulim në këtë rrugë. Ju lutem, bëni atë që mundeni që të mos lejoni që loja me negociatat e brendshme të kthehet në lojë me zjarrin këtu në vendin tonë. Këtë shqiptarët nuk e meritojnë. Këtë Shqipëria nuk e meriton. Sigurisht kjo është përgjegjësi e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve. Ka diçka të rëndësishme që vendet tuaja e kanë në dorë: Ta nxjerrin çështjen e integrimit dhe negociatave nga loja politike, duke i hapur negociatat dhe duke e bërë të pamundur që për arsye politike një palë apo një palë tjetër të marrin peng publikun dhe të shfrytëzojnë vështirësitë për çeljen e negociatave si benzinë për të hedhur në zjarrin e përplasjes politike”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri i vendit, u ndal edhe te marrëdhëniet me Greqinë dhe dosjet e vjetra që janë duke u negociuar, përfshirë kufirin detar. Rama u shpreh se procesi po ecën si duhet dhe të dyja palët po punojnë për të gjetur rrugën më të drejtë. Kreu i qeverisë reagoi për herë të parë duke komentuar edhe debatin për heqjen e tabelave në bashkinë e Finiqit, që gjuhë të parë kishin greqishten. Rama tha se tabelat nuk u hoqën për këtë shkak, por për faktin se nuk ishte marrë leje dhe se nuk ishin marrë parasysh parametrat e sigurisë rrugore, por shtoi se duke filluar nga nesër do të rivendosen mbi bazën e ligjit në fuqi.



