Kreu i PD Sali Berisha po zhvillon ditën e sotme një takim me anëtarët e Këshillit Kombëtar, para të cilëve deklaroi se detyra kryesore e demokratëve është të fitojnë mendjen e zemrat e qytetarëve shqiptarë.
Berisha tha se Rama po tallet me qytetarët, ndërkohë që theksoi se PD është ende larg aktivitet që duhet të jetë, në nivel seksioni dhe grup seksioni. "Ne në këto kushte fitore nuk shohim", tha Berisha, duke e konsideruar si urgjent ndryshimin e situatës,
Mos harroni një gjë, detyra më kryesore e jona është të fitojmë mendjen e zemrat e qytetarëve shqiptarë. Ashtu siç ishim, nuk i fitonim, përkundrazi. Pra, kërkohet një ndryshim i madh. Proces në të cilin ne jemi sot, në mënyrë që të paraqitemi, të tregojmë vitalitetin tonë, për t’u paraqitur si një forcë vërtet e ndryshuar, si një forcë politike, e cila qëndron totalisht e përkushtuar ndaj lirisë dhe vlerave të saj për qytetarin shqiptar. Si një forcë politike, e cila del me shpejtësi dhe përfundimisht nga apatia tetëvjeçare e saj.
Koha është jashtëzakonisht e veçantë, e rëndë. Shikoni, në historinë e këtij vendi, Shqipëria ka pasur diktaturë gjakësore, ka pasur diktatorë që paraqiteshin liberalë, por pushkatonin në kufi. Por nuk ka pasur kurrë një kryeministër që tallej në mënyrën më cinike me qytetarët e vendit siç është Edi Rama. Dje thotë e hoqa fashën, sot thotë fasha është në fuqi. Sikur flet jo për njerëz që duhet të dyfishojnë pagesën për energjinë, por sikur flet për kuzhinën e tij, për godinën në Surrel. Ky ka rekorde botërore cinizmi. Kullën 14 kate pa leje nuk e sheh, i duhet sateliti për ta parë. Sepse i duhet të vjedhë me satelitët. Problemi është ku jemi ne! Nuk ka nevojë Edi ama të na dhurojë asgjë tjetër më shumë të këqija se ç’i ka bërë këtij populli dhe kësaj shoqërie.
Ku është PD sot? Është larg asaj që duhet të jetë. Kur them PD, kam parasysh seksionet dhe grup-seksionet. Si të jenë ata, do jemi ne. E vërteta, thelbi i PD-së para të gjithash është si të funksionojnë qelizat tona, njësitë tona, ashtu do funksionojë në thelb partia. Vjen një moment që nuk ka më konferenca shtypi, nuk ka takime me duartrokitje, ai moment është më vendimtari, ai është votimi, ai është prova e përgjithshme. Ajo betejë zhvillohet mes seksioneve. Jemi larg. Unë duhet të jemi realist me ju. Unë kam marrë gjithë kohës informacione dhe ju garantoj se është urgjente ndryshimi i situatës. Askush të mos mendojë se mund të fitohet vetëm me makro-aktivitete. Nuk fitohet. Ato janë të domosdoshme”.



