
Zjarri që ka shpërthyer në zonën e mbrojtur të Rezervatit të Ballollit në Poliçan, ka marrë përmasa të konsiderueshme në pyllin e kësaj zone të mbrojtur. Sipas informacionit nga strukturat vendore të qarkut Berat, situata mbetet aktive dhe po zhvillohet në disa zona të ndryshme.
Bashkia Poliçan: Në Rezervatin e Menaxhuar Balloll, zjarri ka arritur përmasa në pyll. Në vendngjarje po dërgohen forca nga MZSH Poliçan dhe Dimal, si dhe 6 forca nga AdZM Berat, duke u angazhuar gjithashtu edhe 30 forca të ushtrisë. Situata në këtë zonë paraqitet e rëndë.
Poliçan qytet – Mbrakull: Situata është e qetë dhe monitorohet vazhdimisht.
Fshatrat Rehovë dhe Vokopolë: Situata është e qetë dhe në monitorim.
Bashkia Berat – Velçan: Zjarri ka marrë përmasa në sipërfaqe me shkurre, dhe aktualisht janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe 3 mjete nga MZSH Berat, si dhe 25 forca nga Bashkia Berat për të parandaluar përhapjen më tej.
Bashkia Skrapar – Orizaj, Rrip i Strorës: Zjarri zhvillohet me intensitet të ulët në sipërfaqe me shkurre. Aktualisht janë në vendngjarje 6 forca zjarrfikëse dhe 2 mjete nga MZSH Skrapar, 5 forca vullnetarë të fshatit, si dhe 5 forca nga shërbimi pyjor i bashkisë.
Autoritetet janë duke monitoruar dhe ndërhyrë në terren për të parandaluar përhapjen e zjarrit në këto zona të ndjeshme ekologjikisht.



