"Unë do të vazhdoj t'i shërbej shtetit të madh të Kalifornisë dhe popullit të San Franciskos, por nuk do të kandidoj më si lidere e Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve". Me këto fjalë, drejtuesja e Kongresit, Nancy Pelosi, njoftoi tërheqjen nga drejtimi i demokratëve në këtë institucion.
“Kjo është zemra e demokracisë amerikane. Nuk do ta harroj kurrë kur pashë për herë të parë Capitol Hill, isha vetëm gjashtë vjeç. Atëherë dhe si sot mendoj se është ndërtesa më e bukur në botë, për atë që përfaqëson: demokracinë tonë, kushtetutën tonë, idealet tona”, tha ajo.
“Ne duhet të shikojmë nga e ardhmja, të hapemi ndaj mundësive të reja”, theksoi Pelosi.
Pelosi u bë gruaja e parë që mbajti rolin kryesor në dhomën e ulët të parlamentit amerikan. Republikanët do të marrin kontrollin e dhomës në janar, pasi kanë siguruar një shumicë të ngushtë në zgjedhjet e mesit të mandatit. Ndërkohë, demokratët mbajnë kontrollin e Senatit.



