
Balerina ruso-amerikane Ksenia Karelina u shpall fajtore për akuzat për tradhti pasi u arrestua për dhurimin e parave për një bamirësi që mbështet Ukrainën.
Prokurorët rusë kërkojnë një dënim me 15 vite burg pasi shërbimet e sigurisë akuzuan Karelina për mbledhjen e parave që u përdorën për blerjen e furnizimeve taktike për ushtrinë ukrainase.
Ajo u arrestua nga autoritetet në Yekaterinburg, rreth 1600 km në lindje të Moskës pas një vizite familjare në muajin shkurt.
Dënimi vjen një javë pasi Rusia dhe Perëndimi kryen shkëmbimin më të madh të të burgosurve që nga Lufta e Ftohtë, ku u shkëmbyen 24 persona të burgosur në shtatë vende të ndryshme.
Avokati i Karelina, Mikhail Mushailovm tha se kërkesa e prokurorëve për një dënim 15-vjeçar në një koloni penale ishte shumë e rëndë pasi e pandehura kishte bashkëpunuar me hetimin.
Mushailov shtoi gjithashtu se ishte “e pamundur” që Karelina të ishte përfshirë në shkëmbimin e fundit të të burgosurve, pasi një shkëmbim mund të ndodhë vetëm pasi vendimi i gjykatës të hyjë në fuqi.
Banore e Los Anxhelosit, ajo kishte disa vite që jetonte larg Rusisë dhe mori nënshtetësinë amerikane në vitin 2021.
Ajo udhëtoi në Rusi për një vizitë familjare në janar, dhe që atëherë nuk është lejuar që të kthehet në shtëpinë e saj në Los Anxhelos.
Është raportuar se hetuesit ngritën akuzën për tradhti ndaj saj pasi zbuluan se kishte dhuruar rreth 50 dollarë për Razom, një organizatë bamirëse që mbështet Ukrainën.
Organizata bamirëse tha se ishte “e tmerruar” kur dëgjoi për arrestimin e balerinës joprofesioniste.
Akuzat dhe gjyqi i Karelinës vijnë pasi presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret në prill të vitit të kaluar duke rritur dënimin maksimal për tradhti deri në burgim të përjetshëm, nga 20 vjet, si pjesë e një goditjeje ndaj disidencës.



