Të paktën gjashtë palestinezë janë vrarë dhe 21 janë plagosur pasi forcat izraelite bastisën disa zona në Bregun Perëndimor, thanë zyrtarët palestinezë.
Të martën, një numër i madh i forcave izraelite sulmuan qytetin e Nablusit.
Sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë, pesë palestinezë u vranë nga të shtënat me zjarr të Izraelit. Një nga të vrarët ishte i paarmatosur, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë dhe sigurisë.
Ministria më vonë raportoi se një tjetër i ri palestinez, Qusay al-Tamimi, u vra gjatë konfrontimeve me forcat izraelite në fshatin Nabi Saleh pranë qytetit të Ramallah, ku ndodhet selia e Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar. Një zëdhënës i ministrisë tha për Al Jazeera se Tamimi ishte 19 vjeç.



