Mijëra qytetarë në Beograd kanë kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të së dielës, ku partia e presidentit Aleksandër Vuçiç arriti të siguronte 129 mandate.
Në protestën e thirrur nga koalicioni “Serbia kundër dhunës”, mbështetësit e aleancës opozitare thane se këto zgjedhje rikthyen edhe njëherë pasigurinë për vlerën e votës teksa hodhën vezë dhe domate në drejtim të komisionit qendror të zgjedhjeve.
Lideri i opozitës, Mirosllav Aleksiç kërkoi anulimin e zgjedhjeve në Beograd dhe përsëritjen e tyre teksa bëri me dije se kanë adresuar pranë komisionit zgjedhor të gjitha parregullsitë e procesit.
Kemi dorëzuar të gjitha vërejtjet tona, dëshmitë, regjistrimet dhe gjithçka që duhet të shohë Komisioni i Zgjedhjeve, përfshirë dëshmitë se në çfarë kushtesh janë mbajtur zgjedhjet dhe si është kryer vjedhja brutale në qendrat e votimit, se si njerëzit nga Republika Serbe, nga Bosnja, u sollën për të votuar.
Ndërsa kryesuesja e listës, Marinika Tepiq paralajmëroi greve urie deri në plotësimin e kërkesave.
Ne nuk duam dhe nuk guxojmë t'i njohim zgjedhjet në Beograd, sepse janë kundër ligjit, janë keqpërdorur njerëz nga vendet e tjera. Ne kemi prova dhe kërkojmë anulimin e zgjedhjeve ndaj si unë ashtu edhe Aleksiç do të nisim grevë urie deri në përsëritjen e procesit.
Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, Partia Përparimtare Serbe e presidentit Vuçiç arriti të sigurontë shumicën në parlament duke lënë pas koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” dhe partinë e ish ministrit Ivica Daçiç.
Në këto zgjedhje shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dolën të ndarë me dy lista, ku vetëm Shaip Kambëri, arriti të ruajë karrigen e tij në parlamentin serb ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare- Lugina e Bashkuar” e Shqipërim Arifit nuk nxori asnjë deputet.



