Aksident me pasojë vdekjen e një 39-vjeçareje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kryqëzimin që lidh fshatin Varibop me autostradën Levan–Tepelenë.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, por edhe atyre zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, një automjet tip “Kia” që drejtohej nga shtetasja 39-vjeçare Nertila Abazaj ka dalë nga rruga e fshatit Varibop për t’u futur në autostradën Levan-Tepelenë.
Në momentin e hyrjes në aksin kryesor, automjeti i saj është përplasur me një furgon që po qarkullonte në këtë segment rrugor. Si pasojë e përplasjes së fortë, 39-vjeçarja ka humbur jetën në vendngjarje.
Ndërkohë drejtuesi dhe pasagjeri që ndodheshin në furgon janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Fier për të marrë ndihmë mjekësore dhe mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe patrulla e qarkullimit rrugor për të normalizuar lëvizjen e automjeteve në këtë segment.
Gjithashtu, në vendin e ngjarjes janë thirrur edhe shërbimet zjarrfikëse për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës nga automjeti. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.



