Eksperti i IT Edmond Licaj duke folur përmes një lidhje skype në MCN TV theksoi se pas dy sulmeve të Iranit duhet të ngrihet alarmi për çdo sistem që ka infrastrukturë kritike, si Tatimet, Doganat apo Ministria e Mbrojtjes.
Licaj vë në dukje se sistemet duhet të ishin mbyllur dhe të ishin futur në një skanim.
Shqipëria, sipas raportit zyrtar, ne kemi qenë të sulmuar që në maj të 2021-shit. Ne do të jemi vazhdimisht në sulm dhe jemi aktualisht në sulm. Qasja në internet nga ky grup apo ai shtet që ka dalë në raport...Ata kanë pasur akses gjatë gjithë kohën. Ata e rrëzuan sistemin sepse s’kishin më nevojë për të pasur akses. Nuk përjashtohet fakti që ata s’kanë më qasje në sistemet tona, sepse ne i kemi të dhënat të shpërndara. Duhet të ngrihet një alarm i madh për sistemin e Tatimeve, Doganave, institucionin e Sigurimeve Shoqërore, Ministria e Mbrojtjes. Kanë infrastrukturë kritike të dhënash dhe ai grup mund të ketë akses. AKSH-i, e-Albania është më shumë koordinues të dhënash. Ama secili institucion ka të dhëna sipas kategorisë”.
Eksperti kritikon faktin që sistemi TIMS ka pasur qasje në internet, pasi ai duhet të jetë i mbyllur. Ai po ashtu vë në dukje se për sulmet duhet të flasin ekspertët e institucioneve përkatëse dhe jo kryeministri.
TIMS-i nga çka kemi hulumtuar është gabim i madh që ka qasje në internet. Duhet të jetë sistem i mbyllur dhe jo me akses në internet, sepse kemi të bëjmë vetëm me hyrje-daljet. Me sistemin TIMS është aluduar edhe në vitin 2018 në rastin e ish-ministrit të Brendshëm, u aludua për ndërhyrjen. Sistemet tona na kanë dhënë sinjalin që s’kanë sigurinë në parametrat e duhura. Në çdo komunikim del kryeministri dhe nuk shohim asnjë ekspert të institucioneve përkatëse. Na përfaqëson keq, dhe ne si komunitet nuk mund të pranojmë që ato komunikime të dalin nga kryeministri jonë. Këta akoma vazhdojnë me atë të mospranimit të thyerjes së sistemit dhe vjedhjes së të dhënave. Jemi shumë skeptik nga kjo qasje dhe s’jemi optimist që mund të kemi rezultat të shpejtë.
Duhet të ngrihet alarmi në çdo sistem ku ka qasje. Atëherë do merren masat që të futet në skanim çdo infrastrukturë kritike dhe duhet ta kishim marrë që në hapat e para. Hakerat nuk janë njerëz të zakonshëm, aq më tepër kur udhëhiqen nga qeveri. Duhej të bëhej mbyllja imediate e gjithë sistemeve dhe jo të fokusoheshin vetëm në e-Albania dhe TIMS. Vetëm fakti që kanë dalë të dhënat e qytetarëve e bën situatën alarmante. Deklaratat e kryeministrit s’janë aspak profesionale dhe aspak me vend. Raporti i Microsoft-it është i detajuar. AKSH-i dhe institucionet tona s’kanë dalë me një raport të tillë. S’kemi shpresë të dalin me një raport aq profesional si Microsoft-i. Të bllokohen të gjitha sistemet kritike dhe të futen në analizë. Të krijohet një zyrë koordinimi ku të kenë qasje kolegët tanë dhe të japin kontribut për rikuperimin e kësaj situate”.



