
Aktivisti i komunitetit LGBTQ+, Kristi Pinderi, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN, tha se Sali Berisha ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti.
Sipas tij, në vitin 1995, ishte Partia Demokratike që dekriminalizoi homoseksualizmin, duke i hapur rrugë anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës. Më pas, në vitin 2010, me votat e PD-së, u miratua ligji kundër diskriminimit, i cili mbrojti jo vetëm për shkak të orientimit seksual, por edhe të identitetit gjinor.
Pinderi tregoi gjithashtu se gjatë një takimi me përfaqësues të komunitetit, Berisha kishte shprehur mbështetje për të drejtat e tyre, duke kritikuar deklaratat diskriminuese të disa politikanëve.
Ai tha se ish-kryeministri u kishte garantuar se do të mbështeste përpjekjet për një shoqëri më të drejtë dhe kishte pranuar martesat mes personave të së njëjtës gjini.
Përpara se ne të takoheshim me Berishën, kishin ndodhur dy gjëra shumë të rëndësishme për komunitetin, të dyja produkte direkte të zotit Berisha.
Në vitin 1995, ishte Partia e zotit Berisha që dekriminalizoi homoseksualizmin, i cili ishte ende një vepër penale në kodin penal. Ka pasur një kontribut të aktivistëve lokalë, të cilët nuk ishin haptazi, por ishin të ndihmuar edhe nga albanologu Robert Elsie, i cili kishte një rol kyç në ato vite për të fuqizuar atë komunitet të vogël. Përmes atij fuqizimi, ata mundën të bënin presionin e duhur që Shqipëria ta dekriminalizonte homoseksualizmin dhe më pas të anëtarësohej në Këshillin e Europës.
Në vitin 2010, një tjetër kontribut thelbësor, që mbetet një nga arritjet më të mira për komunitetin LGBTQ+, ishte miratimi i ligjit kundër diskriminimit. Ky ligj u miratua në mënyrë unanime vetëm me votat e Partisë Demokratike në shkurt të 2010-ës, pasi Partia Socialiste ishte në protesta me sloganin "Hap kutitë ose largoju". Më duket se mund të ketë qenë zonja Mesila Doda ose zoti Dritan Shehu që kanë abstenuar, ndërsa të gjithë të tjerët në PD kanë votuar pro ligjit.
Ky ligj solli një koncept ligjor shumë të rëndësishëm, atë të identitetit gjinor. Pra, ai mbron nga diskriminimi jo vetëm për shkak të orientimit seksual, por edhe për shkak të identitetit gjinor dhe arsyeve të tjera që deri në atë moment nuk njiheshin në ligjin shqiptar.
Në një takim me zotin Berisha, ai na tha: "Jam shumë i gëzuar që më në fund po dilni publikisht". Ai shprehu keqardhje që më parë nuk kishte pasur përfaqësues të komunitetit për të dalë hapur dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre. Me respekt të madh, ai vlerësoi faktin që ne ishim të vërtetë ndaj vetes sonë dhe kauzës sonë.
Ai u përpoq të bënte një lidhje mes historisë së Partisë Demokratike dhe të vërtetave të tij në politikë. Na tha se deklarata si ato të Ekrem Spahiut në atë kohë ishin të papranueshme dhe premtoi mbështetje për përpjekjet tona për një shoqëri më të drejtë.
Në një moment, e pyetëm çfarë mendonte për martesat mes personave të së njëjtës gjini. Disa vite më parë, në një mbledhje qeverie, Zoti Basha kishte thënë se do të lejonte martesat mes homoseksualëve, duke e paraqitur si një qëndrim progresist përpara amerikanëve. Këtë e kishte bërë për pragmatizëm dhe për arsyet e tij politike.
Berisha u përgjigj: "Po".
Me humor, për të përtallur ish-kryetarin e bashkisë Edi Rama, ai shtoi: "Po pse akoma nuk martoheni dot? Po të shkoni në bashki, nuk ju martojnë dot?".
Ai tregoi se ishte ekspozuar së fundmi ndaj një familjeje gej dhe besonte se askush nuk ka të drejtë t'i ndalojë ata për të jetuar bashkë dhe për të ndërtuar familjen që dëshirojnë, nëse ajo është e bazuar në dashuri, përkushtim dhe mbështetje reciproke. Ai theksoi se këto janë vlera universale mbi të cilat bazohet çdo familje shqiptare.



