
Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me situatën e përmbytjeve me të cilën po përballet vendi orëve të fundit, si pasojë e reshjeve të fundit.
Në krye të detyrës mes prurjeve të shiut të dhe të llumit.
Teksa të gjitha strukturat, nga forcat e emergjencave civile, trupat ushtarake, policia e shtetit, punonjësit e sistemit energjetik, drejtues e ministra respektivë ndodhen në terren, në krye të detyrës ditë-natë, vijon paralelisht edhe përmbytja e kanaleve të komunikimit mediatike me shpifje, akuza e spekulime të llojllojshme.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama thotë se prurja më e madhe e dizinformimit vjen lidhur me importin e energjisë.
E vërteta është se KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 nëntor, sepse nga të gjitha parashikimet e motit, situata e reshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 nëntor dhe nëse nuk do të ishte importuar, rezerva energjetike do të ishte në minimalen historike, duke rrezikuar vetë furnizimin normal me energji.
Sasia e reshjeve rezultoi në nivele ekstreme me vlera rekord në basenet e Komanit e të Vaut të Dejës - 150% e parashikimit sipas modeleve ndërkombëtare të analizës së motit!
Vetëm në Theth në 12 orë kanë rënë mbi 400 mm shi me intensitet pik deri në 50 mm/orë. Kjo sasi reshjesh u përkthye në prurje që arritën deri në 4000 m3/sek në lumin Drin, ku vetëm në liqenet e Komanit e Vaut të Dejës prurjet anësore shkuan deri 3500 m3/sek.
Në këto kushte, qysh në datën 19 nëntor u morën masat sipas protokolleve përkatëse, duke hapur portat e shkarkimit për të krijuar mundësi akumuluese në të dy këta liqene dhe duke garantuar sigurinë e digave.
Kryeministri bën të ditur se aktualisht punojnë të 9 agregatët e Komanit dhe Vaut të Dejës dhe sërish shkarkohet për shkak të prurjeve të papërballueshme.
Në vijim shton se duke shkarkuar në mënyrë të kontrolluar, KESH ka siguruar që efekti i reshjeve në zonën e nën Shkodrës të mos ketë mbivendosje.
Përkundrazi, e ka zhvendosur me disa orë efektin e Drinit në të gjithë kombinimin e prurjeve ne këtë zonë (ku shkarkon Buna, Kiri, Gjadri, Moraça etj).
Kjo zhvendosja me disa orë e efektit të lumit Drin ka bërë të mundur uljen e pikut të prurjeve maksimale në këtë zonë, duke e ulur nivelin maksimal të ujit.
Për të mos e përkeqësuar situatën, të gjitha prurjet në basenin e sipërm të kaskadës, të cilat vijnë nga Drini i zi dhe i bardhë, po akumulohen prej ditësh në liqenin e Fierzës (me aftësi mjaft të mëdha akumuluese) duke mbajtur prodhimin 0 MW.
Në këtë mënyrë përmirësohet edhe rezerva energjetike dhe mbetet keqardhja e madhe për prurjet e llumit të gjysmë të vërtetave, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha mbi pasqyrat e (diz)informimit publik.



