
Një grua e cila shantazhonte dhe kërcënonte një shtetase në rrjetet sociale, i mori 5000 euro dhe i kërkonte edhe 50 000 euro të tjera, është vënë në prangat e policisë së Sarandës.
Në vijim të veprimeve hetimore, lidhur me kallëzimin e një shtetaseje, e cila kishte deklaruar se i ishte marrë një shumë parash nëpërmjet shantazhit dhe kërcënimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bënë të mundur ndalimin e autores së dyshuar të shpallur në kërkim, shtetases:
Zyhra Horra, 44 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
44-vjeçarja dyshohet se, përmes shantazhit dhe kërcënimeve në rrjetet sociale, i kishte marrë një 39-vjeçareje nga Saranda shumën prej 5000 eurosh dhe vijonte ta kërcënonte për t’i marrë edhe 50 000 euro të tjera.



