Atentati në Gjirokastër, Cakrani: Krimi është kthyer në model të përditshëm, rendi publik është jashtë kontrollit (VIDEO)

Atentati në Gjirokastër, Cakrani: Krimi është kthyer në model të përditshëm, rendi publik është jashtë kontrollit (VIDEO)

Situata e rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri, roli i Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit dhe besimi i qytetarëve te uniformat blu ishin në fokus të deklaratave të avokatit Kujtim Cakrani në MCN TV. 

 

Duke komentuar atentatin pranë godinës së Policisë, Cakrani e cilësoi situatën e sigurisë në vend si alarmante, ndërsa pretendoi se krimi i organizuar po vepron gjithnjë e më shumë me guxim dhe se institucionet ligjzbatuese nuk po japin rezultatet e pritshme.

 

Sipas avokatit, ngjarje të tilla nuk mund të konsiderohen raste të izoluara, por janë tregues të një situate që, sipas tij, po kthehet në një fenomen të përsëritur. Ai ngriti shqetësime për performancën e Policisë dhe Prokurorisë në hetimin e krimeve të rënda, duke theksuar se mungesa e rezultateve konkrete ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve.

 

Kjo tregon atë që kemi diskutuar edhe herë të tjera, se situata e rendit në vend është jashtë kontrollit dhe Shqipëria, në çdo skaj të saj, është në dorë të krimit. Nuk është se përbën çudi, sepse këto nuk janë raste të shkëputura apo spontane. Tashmë janë kthyer në një model të përditshëm, ku kemi vrasje tipike mafioze, si kjo, që lidhen me larje hesapesh, dhe për qytetarët nuk përbëjnë më një lajm që shkakton sensacion. Kjo është ajo që e bën situatën edhe më të rëndë. Prokurorisë dhe Policisë Kriminale, sidomos në këto rrethe, u del përpara një punë e jashtëzakonshme, por nuk shohim performancë pozitive sa i përket luftës kundër krimit të organizuar. Të gjithë presin që këto forma kriminaliteti të hetohen nga Prokuroria e Posaçme, por ndërkohë, kur institucionet përgjegjëse nuk kryejnë detyrën e tyre, krimi lulëzon në këto qytete dhe Gjirokastra nuk mund të bëjë përjashtim. Kjo është një situatë që është shumë e vështirë të mbahet nën kontroll.

 

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Cakrani lidhet me besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit dhe me gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me organet ligjzbatuese. Sipas avokatit, ndryshimet e shpeshta në drejtimin e strukturave policore dhe dyshimet për përfshirjen e punonjësve të Policisë në veprimtari të paligjshme ndikojnë në perceptimin e publikut për institucionin.

 

Ata që bashkëpunojnë me Policinë tërhiqen, sepse shohin që shefat ndryshojnë herë pas here dhe strukturat nuk janë funksionale. Qytetarët bëhen të rezervuar, sepse, me ndryshimet që bëhen, nuk shohin se Policia po u sjell rend dhe siguri, por krijohet perceptimi se këto lëvizje bëhen për interesat e drejtuesve të tyre. Kur Policia humbet besimin e qytetarëve, situata bëhet shumë e rëndë, sepse bashkëpunimi me publikun është thelbësor në luftën kundër krimit. Kemi parë raste të ndryshme kur punonjës të Policisë janë përfshirë në problematika që lidhen me transportin e parave apo të personave të përfshirë në çështje të dyshimta. Këto janë pretendime dhe raste që duhen trajtuar nga institucionet përgjegjëse, por çdo episod i tillë e dëmton besimin e qytetarëve. Policia duhet të jetë në krah të qytetarëve dhe të luftojë krimin, jo të krijojë perceptimin se merret kryesisht me protestuesit, ndërkohë që problemet e sigurisë mbeten të pazgjidhura.

 

Në përfundim, avokati theksoi se përgjegjësia për situatën e sigurisë nuk mund t'i atribuohet vetëm Policisë, por të gjitha institucioneve që kanë detyrimin të parandalojnë dhe të luftojnë kriminalitetin.

 

Nuk po dallojmë dot më policin nga banditi. Kjo është e papranueshme. Kurrë më parë Policia nuk është barazuar me krimin në mënyrën se si perceptohet sot. Nuk është vetëm Policia përgjegjëse, por edhe Prokuroria dhe të gjitha organet ligjzbatuese, të cilat, sipas meje, janë inekzistente përballë kësaj situate. E gjithë kjo gjendje është pasojë e dështimit të institucioneve për të përmbushur detyrat e tyre. Situata është shumë alarmante.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy