Ish-ministri për Teknologjinë e Informacionit, Genc Pollo, në një intervistë për MCN TV, thotë se ndryshimet e vitit 2014 krijuan kushtet për abuzimin me tenderat e AKSHI-t. Ai u shpreh se përqendrimi në një dorë i të gjitha proceseve solli jo vetëm tendera abuzivë, por edhe i bëri sistemet më të dobëta.
Ka ndodhur një shtrembërim strukturor dhe sistemik në vitin 2014-2015. Kur unë kam qenë ministër, ASKHI kishte detyrën të merrte përvojën më të mirë botërore, ta përshtaste ato me Shqipërinë, ato do të miratoheshin me VKM. Dhe pastaj çdo ministri, drejtori apo bashki që blinte sisteme kompjuterike e bënte tenderin vetë, por ishte detyruar që në dokumentet e tenderit të zbatonte këto standarde që ishin zyrtare. Agjencia e Prokurimit Publik kur i vinin dokumentet e tenderit nga Ministria e Shëndetësisë le të themi, i çonte te AKSHI. Ky konfirmonte që janë në përputhje me standardet zyrtare dhe vetëm pas kësaj çelej procedura e prokurimit. Pas 2014, të gjitha këto procese u përqendruan në një dorë të vetme. Kjo i lë vend abuzimit.
Në sistemin që ne kemi ndërtuar, abuzimi nuk ishte i pamundur, por ama identifikohej dhe korrigjohej më lehtë. Por kur janë të gjitha në dorë të drejtoreshës së AKSHI-t, që punëson motrën e koordinatorit të bandave dhe nënshtron të gjithë stafin, aty edhe përcaktohen edhe verifikohen standardet, edhe bëhen tenderat. Është e pamundur të mos ketë dobësi në sistem. Dobësia është tre llojesh. E para, standardet e sistemeve kompjuterike janë më të dobëta se nuk i kontrollon njeri dhe kjo duket që nga publikimi i pagave të punonjësve apo hakërrimet nga jashtë. E dyta, kur tenderat bëhen në një dorë, është e lehtë që një sistem që bën 3 milion, ta tenderosh 10 milion. Dhe kjo ka ndodhur se e tregojnë hetimet. E treta është se janë grupe kriminale që kanë pasur kontroll në sistemet shtetërore, p.sh. te prona, ku mund ta kalojnë atë nga X te Y.
Ka qenë vullneti politik i Ramës dhe partisë së tij që të përqendrohen në një dorë.
Në lidhje me përfituesit më të mëdhenj të tenderave të AKSHI-t, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, Pollo tha se rasti në fjalë duhet të shërbejë si precedent për ndryshime ligjore që ndëshkojnë pronarë dhe kompani, të cilat përfshihen në praktika abuzive.
Ka nevojë për një rregullim ligjor. Kompani të tilla dhe pronarët e tyre, po e them këtë sepse një prej tyre mund të regjistrojë 5 kompani të reja muajin e ardhshëm. Duhet të ndëshkohen në rast se janë përfshirë në praktika të tilla abuzive. Në Europë, në raste të ngjashme përjashtohen për disa vite nga prokurimi publik. Ashtu siç zyrtarë që dënohen penalisht, dënohen edhe që të mos marrin post publik. Paralelizmi është i qartë.



