
Pas publikimeve të lajmeve lidhur me shqetësimet e qytetarëve se uji që shpërndahet me bote ka përmbajtje salmonele dhe se së fundmi janë shtuar rastet që janë shtruar te Reparti Infektiv me këtë bakter, ka reaguar edhe Instituti i Shëndetit Publik.
ISHP siguroi, përmes një njoftimi për shtyp, se ka përhapje të zakonshme sezonale të virozës. Nga analizimet e pacientëve, vetëm 5 raste rezultojnë të infektuar nga bakteri i salmonelës.
Njoftimi i ISHP-së:
Instituti i Shëndetit Publik sqaron se nga analizat e kryera deri tani në mostrat e marra në paciente me shqetësime dhe shenja të aktit tretës, nga të gjithë rastet e ekzaminuara, vetëm 5 raste kanë rezultuar me salmonelë, pra nuk rezulton evidencë për përhapje të këtij bakteri.
Sipas të dhënave të IShP, nga analizat e mostrave të marra, rezulton se situata e ndodhur lidhet me temperaturat e larta, situatë e zakonshme sezonale, e krahasueshme me vitet pararendëse. Shtrimet ne shërbimin infektiv janë shumë të ulëta në raport me numrin e rasteve të paraqitura dhe fluksi aktualisht në këtë spital ka rënie të konsiderueshme.
Instituti i Shëndetit Publik do të vijojë monitorimin e situatës, duke ritheksuar se rastet e shfaqura janë normale për sezonin dhe temperaturat aktuale dhe rekomandon zbatimin rigoroz të higjienës personale dhe kërkimin e ndihmës mjekësore në rast të shqetësime të kësaj natyre.



