Gjatë vizitës së tij në Tiranë, ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio u takua edhe me kryeministrin Edi Rama, ku firmosën sot marrëveshjen për Krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar Italian.
Në një konference të përbashkët për mediat, Rama vlerësoi mbështetjen dhe ndihmën e Italisë në momentet më të vështira, siç është tërmeti dhe sigurimi i vaksinës anti-Covid.
“Nuk mundem që bashkë me falënderimin që të shpreh mirënjohjen për Italinë mike dhe qeverinë italiane dhe në mënyrë të veçantë për trupat fantastike të Mbrojtjes Civile, të cilat reaguan në mënyrë të rrufeshme u gjendën brenda shumë pak kohe në zonën e fatkeqësisë duke sjellë shpresë dhe duke shpëtuar jetë. Falënderime dhe mirënjohje për përfshirje të drejtpërdrejtë të mikut tonë Luggi Di Mare dhe kryeministrit për mbështetjen e jashtëzakonshme në Bruksel, ku Italia ishte jo vetëm me fjalë por dhe me vepra në krye të radhës, të vendeve mike. Sot ndajmë së bashku dhe eksperiencën që po ndan e gjithë bota, eksperiencën e jashtëzakonshme të përballjes me armikun e padukshëm. Dëshiroj që ta falënderoj ministrin edhe për gatishmërinë për të qenë krejtësisht i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës për të cilën e gjithë bota është vënë në lëvizje. Siç e kam shpjeguar më parë, vendet po krijojnë dhe partneritete. Italia falë kësaj lidhje krejt të veçantë që ka me Shqipërinë, falë dhe ministrit të jashtëm e kryeministrit, është pranë nesh siç është dhe në BE. Në mënyrë që vendet e rajonit mos të mbeten pas. Në radhë të parë për garantimin e vaksinës për personelin mjekësor dhe më pas për mësuesit e forcat e policisë, dhe më pas për të gjithë popullin.”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio bëri një urim në shqip për të gjithë shqiptarët: "Drejt Evropës së përbashkuar".
“Ne mbetemi të vendosur për të arritur objektivat tona brenda BE që të fillojmë konferencën. Me kryeministrin folëm edhe për çështje që janë të lidhura me pandeminë, vaksinat, por edhe investimet për të dalë nga vështirësia që është në rang botëror. Për këtë do të punojmë bashkë për të gjurmuar edhe planin e investimeve. Duke parë së bashku drejt një të ardhmeje që do të jetë rozë nëse e përshkruajmë bashkë këtë rrugë që na ndan nga normaliteti. Do të doja ta përfundoja me një frazë për miqtë shqiptarë Nuk jam i zoti të flas shqip si Rama flet italisht: “Drejt Europës së përbashkuar”. Është një urim që mund t'i bëjmë njëri-tjetrit”, tha Di Maio.



