Gazetari Klodian Tomorri thotë se ndikimi i koronavirusit në ekonominë shqiptare ka nisur para se epidemia vetë të mbërrinte në Shqipëri. Kjo për shkak të lidhjeve tregtare që vendi ynë ka me Italinë, por edhe me Kinën. Dy sektorët që e kanë ndier menjëherë efektin e koronavirusit, sipas Tomorrit, janë turizmi dhe industria fasone.
“Në fakt, Shqipëria është pjesë e një ekonomie globale, është e ndërlidhur me shumë vende të tjera. Efektet e koronavirusit kishin filluar të ndiheshin pa u mbyllur fluturimet. Dy nga sektorët kryesorë që kanë mbajtur peshën e rritjes ekonomike, turizmi dhe sektori i eksporteve, veçanërisht në pjesën e fasonëve. Industria fasone është goditur pej gati dy muajsh, kur u mbyllën fabrikat në Kinë, sepse një pjesë e mirë e lëndës së parë vjen prej atje. Kjo kishte prishur të gjithë zinxhirin e ofertës dhe e kishte bërë të pamundur furnizmin me lëndë të parë. Shpërthimi në Europë dhe Itali i rëndoi edhe më shumë efektete në ekonominë shqiptare, gjatë javëve të fundit janë pezulluar panairet. Ndikimi në fason ka qenë i konsiderueshëm. Edhe në turizëm gjithashtu, hotelet kanë rënie të prenotimeve deri në 20 %.Turizmi është industria e parë që preket. Nëse kësaj i shtojmë edhe vendimin për të anuluar fluturimet me Italinë, sigurisht që efektet do të jenë më të konsiderueshme”, tha ai.
Tomorri e konsideron panik të panevojshëm reagimin e shumë qytetarëve ditën e djeshme, kur u bë i ditur nga qeveria plani i masave për të menaxhuar situatën e epidemisë.
“Sa i përket dyndjes në supermarkete, është panik i panevojshëm. Qarkullimi i mallrave është i pandërprerë. Supermaketet do të jenë aty edhe sikur të rritet numri i të infektuarve”, tha ai.
Sipas Tomorrit, ndikimet e koronavirusit në ekonominë shqiptare pritet të jenë të konsiderueshme, pasi si pjesë e ekonomisë botërore, ajo nuk ishte në pozita të favorshme që para nisjes së epidemisë.
“Ekonomia botërore dhe ajo shqiptare nuk ishin në pozita të mira që para koronavirusit. Pra ky i dha një tjetër goditje. Po flitet për mundësinë e një recesioni. S&P por edhe Moody’s flasin se mund të ketë rishikim të projeksioneve të rritjes. Më e goditura është Italia, partneri ynë kryesor. Kanë filluar bizneset t’i çojnë punonjësit në shtëpi. Nëse shtohet edhe kufizimi i prodhimit, atëherë do të shohim efekte. Qeveria parashikon një rritje 4%, FMN dhe BB parashikojnë rreth 3, por në rast të skenarëve të koronavirusit mund të shkojmë deri në 1%”, tha Tomorri.
Lidhur me ligjin e pronave, i cili kaloi me procedurë të përshpejtuar javën e kaluar, Tomorri tha se nuk pret zgjidhje të problemit të pronave. Sipas tij, përveçse cenon të drejtën e pronarëve legjitimë, ky ligj mund të përdoret për të transferuar toka te bizneset pranë qeverisë.
“Është një masë, masa e radhës në vazhdën e lëmshit me pronën. Të gjitha qeveritë kanë premtuar zgjidhjen, por asnjëra nuk ka arritur ta bëjë. Është një masë me procedurë të përshpejtuar, pa u konsultuar me grupet e interesit. Ka ngritur shqetësime të drejta, sepse përqendron pushtet në duart e ASHK. Qeveritë në Shqipëri nisen nga qëllime jo të mira. Pretendimi është zgjidhja për titujt e pronësisë. Ky ligj ka shkaktuar shumë kundërshti te pronarët, opozita dhe partnerët, si Greqia. Një nga zonat që preken më shumë nga ky ligj janë tokat në bregdet. Cenohet e drejta e pronarëve legjitimë. Ky ligj mund të përdoret për të transferuar toka te biznese afër qeverisë”, tha ai.



