
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka vendosur të zhvendosë në Tiranë zyrën e Kadastrës së Vlorës, një vendim që ka nxitur reagime dhe kundërshti jo vetëm nga punonjësit e institucionit, por edhe nga qytetarët dhe Dhoma e Avokatisë.
Panelistët e ftuar në emisionin “MCN Informacion”, Dionis Sota, ish-kandidat për kryetar bashkie në Vlorë; Rajmond Dervishi, kryetar i Shoqatës së Gjeodetëve; dhe Dëshira Mena, drejtoreshë e Unionit të Inxhinierëve, renditën shkaqet dhe pasojat që, sipas tyre, do t’i vuajnë drejtpërdrejt qytetarët.
Dionis Sota:
Vlora është goditur disa herë ndër vite me largimin e institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Vlora nuk po sulmohet vetëm këtë herë. Asaj i janë larguar disa institucione si Gjykata e Apelit, Gjykata Administrative, Drejtoria Rajonale e Arsimit, Drejtoria e Bujqësisë dhe e Peshkimit, dhe tani edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Ky lloj spostimi dhe ky sulm ndaj institucioneve të Vlorës, një qytet qendror për rajonin e jugut, sjell problematika serioze.
Ky vendim cenon aksesin në shërbimin publik dhe drejtësinë, duke krijuar vështirësi të drejtpërdrejta për qytetarët.
Kadastra e Vlorës ka ndërruar 16 drejtorë dhe nuk është bërë asnjë analizë për arsyet e këtij vendimi. Përveç kësaj, zhvendosja sjell kosto financiare për çdo banor, të cilët do të jenë shumë më larg shërbimeve.
Rajmond Dervishi e cilësoi urdhrin administrativ si një akt të pajustifikuar dhe të paligjshëm.
Ky urdhër, i nënshkruar nga drejtuesit e Kadastrës, tregon një përshkallëzim të rrezikshëm të shkatërrimit të institucioneve shtetërore. Nga pikëpamja juridike, është një urdhër pa bazë dhe pa peshë ligjore.
Ky proces nuk është i izoluar, por po ndodh edhe me institucione të tjera, duke krijuar një precedent të rrezikshëm.
Është shkelje totale e urdhrave administrative dhe një kambanë alarmi.
Përveç kësaj, çfarë do të ndodhë me punonjësit? A do të detyrohen të vijnë në Tiranë dhe të blejnë banesa këtu?
Dëshira Mena theksoi se largimi i 16 drejtorëve në një kohë të shkurtër ka sjellë reagime të forta nga punonjësit dhe qytetarët.
Justifikimi është se gjithçka do të bëhet digjitalisht dhe se sistemi online funksionon kudo, por në Vlorë sistemi online dhe interneti shpesh nuk funksionojnë.
Problemi qëndron te paaftësia e shtetit për të ndërtuar një sistem funksional në vend.
Nëse shteti nuk arrin të vendosë një sistem aty ku ka nevojë vendi, atëherë zhvendosja në Tiranë nuk është zgjidhje.
Kjo krijon një zinxhir problemesh edhe në qytete të tjera, si Fieri apo Saranda.
Nëse kadastrat nuk funksionojnë në rrethe, kjo tregon se shteti ka dështuar të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm dhe të sigurt, duke pranuar në mënyrë të heshtur këtë dështim.



