
Një shpërthim ka ndodhur në Gjykatën e Apelit në Athinë në orët e para të mëngjesit të së premtes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:25, vetëm gjysmë ore pasi sulmi ishte paralajmëruar me një telefonatë anonime, raporton Zougla.gr.
Roja në shërbim ka dëshmuar në polici se ka parë dy persona me një qese në dorë, të cilën e kanë lënë në shkallët e gjykatës. Ata janë larguar menjëherë, ndërsa në rrugë i priste një person i tretë i cili qëndronte në këmbë para një makine tip “Fiat”. Nuk përjashtohet mundësia që një person i katërt të ketë qenë në makinë, i gatshëm për t’u nisur në momentin që u kthyen dy atentatorët.
Sipas zougla.gr, të dy autorët e kanë kërcënuar policin roje dhe kanë qëlluar një herë në drejtim të tij.
Automjeti i tyre u gjet pak më vonë i djegur në zonën e Exarchia-s.
Shpërthimi ka qenë i fortë dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesën e Gjykatës së Apelit. Për shkak të paralajmërimit të ngjarjes, policia i kishte vënë në dijeni banorët e zonës, duke i këshilluar të mos dilnin nga shtëpia.
Skuadrat antiterror dhe policia kanë nisur hetimet për zbardhjen e sulmit. Krahas dëshmisë së rojës së gjykatës, ata kanë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset e zonës dhe rrugës që mendohet se kanë ndjekur autorët deri në vendin ku i kanë vënë flakën makinës.



