Analisti Mustafa Nano e sheh si të gabuar masën e ndëshkimit me burg për qytetarët që nuk respektojnë distancat. Në një lidhje Skype me studion e lajmeve në TvT, Nano tha se në një situatë pandemie, masat duhet të kenë për qëllim të shpërndajnë grumbullimet e njerëzve dhe jo të krijojnë të tilla.
“Unë do t’i bëja apel Ramës që masa të tilla është mirë të mos i improvizojë. Kjo masë është e ekzagjeruar, por nuk është adoptuar nga ndonjë një qeveri tjetër. Italia e kaloi, Spanja dhe Franca gjithashtu. Por nuk kam dëgjuar të kenë adoptuar si masë burgun. Ka qeveri që po përpiqen të zbrazin burgjet, duke qenë se ato janë qendra ku njerëzit grumbullohen. Kryeministri duhet të mendonte të lironte burgjet, sepse njerëzit janë më të mbrojtur jashtë se brenda në to”, tha Nano.
Lidhur me mbylljen e kufijve, e cila ditët e fundit ka penalizuar shumë shtetas shqiptarë që përpiqen të kthehen në Shqipëri, Nano tha se në situatën aktuale është një masë e drejtë.
“Janë marrë shumë masa këto kohë në kuadrin e pandemisë, analizë mund të bëjmë për të gjitha. Kjo masë është absurde në rrethana normale, por në mendimin tim në këtë situatë është një masë e drejtë. Të gjithë kufijtë janë mbyllur. Të gjithë personat rezidentë në këtë rrethanë duhet të rrinë aty ku janë. Me këtë masë jam me qeverinë”, tha ai.
Në lidhje me këtë masë, ish-kryeministri Berisha ka bërë thirrje për hapjen e kufirit për shqiptarët e bllokuar në kufi me Greqinë, nëj deklaratë që nga kryeministri Rama u komentua si “synim për të shkatërruar Shqipërinë si në vitin 1997”. Por për analistin Nano, këto lloj taktikash ndiqen si nga Berisha, edhe nga Rama, në funksion të synimeve të veta politike.
“Unë nuk dua të bëj lojën që bëhet gjithmonë, loja e të lexuarit të qëllimeve të tjetrit. Nuk hyj te komentatorët apo te njerëzit që aktorët publikë i ndajnë në tradhtarë dhe njerëz që duan të stabilizojnë ose destabilizojnë vendin. Nuk është vetëm Berisha, është edhe Rama vetë. Taktikat destabilizuese i përdorin në funksion të qëllimeve të veta, të marrin apo të mbajnë pushtetin. Unë mendoj se Berisha e ka mbaruar funksionin e vet, ai bën këto gjëra për hesapet e veta”, tha ai.
Presidenti ka bërë thirrje në një deklaratë të para dy ditëve që masat të cilat merren në këtë situatë të fatkeqësisë natyrore duhet të respektojnë hierarkinë e normave në fuqi dhe të jenë proporcionale.
Për gazetarin Nano, ky është një apel i natyrës presidenciale, pasi pajtueshmëria e masave me Kushtetutën është kusht i domosdoshëm.
“Është një apel i shëndetshëm dhe norma. Por kur vjen puna te situata konkrete, duhet parë rast pas rasti. Qeveritë janë të prira të eksperimentojnë, e jona ka në krye një njeri që e ka qejf eksperimentimin. Është pak e vështirë t’i kërkosh një qeverie ta luftojë koronavirusin me mjete kushtetuese. Ne duhet të jemi këtu herë pas here në mënyrë që të masim mirë përpjestueshmërinë që kanë këto masa me respektin ndaj kushtetutës”, tha ai.



