
Kompania ruse Gazprom njoftoi se nga sot ndërpret eksportin e gazit në Finlandë, duke konfirmuar atë që më parë ishte deklaruar nga operatori finlandez Gasum. Por Helsinki tha se ishte gati për këtë masë. Operatori njoftoi se sistemi aktualisht është në ekuilibër, "si fizikisht ashtu edhe komercialisht". Në thelb, masat për parandalimin dhe ruajtjen e gazit ishin zbatuar prej disa kohësh.
Gazi
Shumica e gazit të përdorur në Finlandë vjen nga Rusia, por ende përbën vetëm 5% të konsumit vjetor të energjisë në vend. Gazprom raporton se furnizoi Finlandën me 1.49 miliardë metra kub gaz natyror në vitin 2021, e barabartë me rreth dy të tretat e konsumit të gazit të vendit. Tani një burim alternativ do të jetë gazsjellësi Balticconnector, impianti që lidh vendin skandinav me rrjetin fqinj të gazit të Estonisë. Finlanda tha gjithashtu ditët e fundit se ka rënë dakord të marrë me qira një anije magazinimi dhe rigazifikimi nga një kompani me bazë në SHBA për të ndihmuar në zëvendësimin e gazit rus, duke filluar nga tremujori i katërt i këtij viti.
Energjia alternative
Finlanda ka vite që është e angazhuar në politikën e dekarbonizimit dhe diferencimit të burimeve të furnizimit me energji. Vitin e kaluar, sipas Institutit Finlandez të statistikave, vendi skandinav ka konsumuar 86,775 gigavat energji elektrike, nga e cila pak më shumë se 20% është rezultat i importeve nga vende të tjera. Zëri më i madh në prodhimin e energjisë elektrike vjen nga energjia bërthamore, 32%, e ndjekur nga hidrocentrali me 22%, lëndë djegëse druri me 17%, dhe energjia e erës me 11%. Vitet e fundit, duke parë të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, është rritur përqindja e prodhimit nga burimet e rinovueshme: energjia nga mbetjet, pastaj energjia diellore dhe e erës. Ndërsa konsumi i qymyrit, gazit natyror dhe naftës ka mbi 10 vjet që ka ardhur në rënie.



