Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e konsideruar sukses të Policisë së Shtetit zbardhjen e dy grabitjeve spektakolare të miliona eurove në Rinas. Gjatë një deklarate të shkurtër për media Tahiri theksoi se policia është në krye të detyrës.
Ai tha se ka një pakicë që hedh baltë dhe llumë ndaj policisë dhe për ministrin, kjo pakicë është kundër Vettingut dhe kundër reformës në drejtësi.
"Është një ditë si gjithë të tjera për policinë, ku për fat të keq, përtej baltës dhe llumit që është hedhur kemi arritur t’i tregojmë qytetarëve shqiptarë se jemi në shërbim të tyre. Dua të falënderoj oficerët e policisë që arritën të zbardhin në një kohë rekord një seri ngjarjesh. Dua të falënderoj qytetarët për besimin që kanë investuar tek policia e Shtetit. kjo është energjia e domosdoshme për Shqipërinë që duam. Dua të shfrytëzoj këtë rast tu bëj thirrje të gjithë atyre që sulmojnë policinë dhe tu them se Policia është në krye të detyrës. Ata që janë sot kundër policisë janë ajo pakicë e vogël që janë kundër vettingut dhe që nuk duan drejtësinë. Janë shumë pak për të na bërë punën të vështirë", deklaroi Tahiri.
Edhe kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako e konsideroi aksionin si sukses të shkëlqyer të Policisë.
"Përshëndesim Policinë e Shtetit për suksesin e shkëlqyer që ka arritur. U arrit më në fund të finalizohej me sukses operacioni duke vënë para përgjegjësisë ligjore të autorëve të disa grabitjeve të ndodhura në aksin rrugor Tiranë-Rinas. Është një punë shumë e mirë", tha numri një i Policisë së Shtetit.
Tahiri iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve se a do ketë shpërblim grupi i policisë që zbardhi ngjarjen?
"Unë nuk para premtoj kur nuk e mbaj, por besoj se po", tha Tahiri.
Ku kanë shkuar lekët e grabitjes së parë?
E rëndësishme është që policia e Shtetit ka bërë gjithçka për të identifikuar autorët. Disa të arrestuar, shumë pak në kërkim. Sot Policia e Shtetit është vija ndarëse mes Shqipërisë që duan Shqiptarët dhe Shqipërisë së disave që duan ta mbajnë peng. Është shumë e rëndësishme t’u tregojmë shqiptarëve që me besimin e tyre bëjnë që Policia e Shtetit të jetë edhe më profesionale.
Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako tha se është bërë një punë intensive për zbardhjen e dy grabitjeve.
“Pas një pune intensive të palodhur u finalizua me sukses operacioni duke vënë para përgjegjësisë autorëve të disa grabitjeve të ndodhura. Është një punë shumë e mirë falë angazhimit të të gjitha strukturave. S’më mbetet gjë tjetër veçse t’i falënderoj për përkushtimin”, tha Çako.
