Ndërsa biznesmeni Ermal Beqiri rezulton në kërkim nga drejtësia, një prej kompanive të tij vijon të përfitojë kontrata publike. Universiteti i Tiranës i ka dhënë një tender me vlerë mbi 50 mijë euro bashkimit të operatorëve ekonomikë "Soft & Solution" dhe "Horizon", duke rikthyer në vëmendje debatet mbi administrimin e kontratave publike dhe pasurive të subjekteve që janë nën hetim apo masa sigurie.
Në MCN Live, gazetari Xhevahir Zhabina u ndal te mënyra se si administrohen pasuritë e sekuestruara dhe vështirësitë që hasin institucionet në hetimin e grupeve kriminale. Sipas tij, eksperiencat e mëparshme tregojnë se, edhe pas sekuestrimit, pasuritë shpesh vijojnë të kontrollohen nga persona të lidhur me pronarët realë.
Nga eksperienca në hetime të tjera, kur vjen puna te sekuestrimi, kemi mundur të mësojmë se këto pasuri merren në kontroll nga persona që kanë lidhje me pronarët realë të tyre. Kur bëhet fjalë për pasuritë e krimit të organizuar, ato shpesh administrohen sërish nga persona të lidhur me ish-pronarët. Në rastin e çështjes që është në hetim situata është më specifike dhe nuk funksionon njësoj si në rastet e hetimeve të krimit të organizuar. Prandaj është legjitim shqetësimi që ka ngritur prokurori Altin Dumani, sepse ai e di shumë mirë deri ku shkon fuqia e këtij grupi të strukturuar kriminal. Është ende herët për të nxjerrë përfundime, por hetimi duhet të shkojë deri aty ku e kërkojnë provat dhe SPAK duhet të mbështetet edhe nga struktura të tjera të shtetit.
Gazetari shtoi se lufta kundër pastrimit të parave nuk mund të mbështetet vetëm te Prokuroria e Posaçme, duke kërkuar angazhim më të madh nga institucionet që kanë detyrimin ligjor për të referuar shkeljet.
SPAK e ka të përcaktuar fushën e vet të veprimit dhe kompetencat që ka. Duhet të marrim me shumë seriozitet deklaratat e ish-drejtuesit dhe drejtuesit aktual të Prokurorisë së Posaçme, kur thonë se institucionet nuk kallëzojnë shkeljet. Nuk shohim që Tatimet apo Doganat të bëjnë kallëzime në SPAK, edhe pse e kanë detyrim parësor. Më pas shohim hetime që tregojnë se pastrimi i parave kryhet në ndërtim dhe në sektorë të tjerë. Nuk mund t'i kërkojmë Prokurorisë së Posaçme të bëjë gjithçka, kur si shtet nuk kemi ngritur të gjithë mekanizmat që duhet të funksionojnë.
Në të njëjtën linjë, gazetari Mariglen Kume u ndal te administrimi i kompanive që vendosen nën sekuestro dhe mënyra se si shteti përpiqet të ruajë vlerën e projekteve që ato kanë në zbatim.
Kur vendoset një administrator nga shteti, synimi është që projektet që kompania ka marrë të mos humbasin vlerën dhe të mos shkojnë drejt dështimit. Kemi të bëjmë me çështje shumë specifike, me shumë të dhëna që administratori duhet t'i analizojë me kujdes, sepse janë procese të ndërlikuara. Fakti që administratori kërkon të vazhdojë zhvillimin e kompanisë tërhoqi vëmendjen dhe besoj se kjo është taktika e dytë që po ndiqet, një praktikë e ngjashme me atë që është parë më herët në rastin e inceneratorit të Tiranës.
Ai paralajmëroi gjithashtu se vendimet për sekuestrim mund të kenë pasoja financiare për shtetin, në rast se ato rrëzohen nga gjykatat.
Nëse në fund rezulton se vendimi për sekuestron ka qenë i padrejtë, ekziston mundësia që kompania t'i drejtohet gjykatës me padi ndaj shtetit për dëmet e shkaktuara. Kjo është arsyeja pse administrimi i këtyre rasteve duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe i mbështetur në prova të forta.



