Një deklaratë e këshilltarit të kryeministri Albin Kurti i ka kushtuar atij shkarkimin e menjëhershëm nga detyra. Shkëlzen Gashi, këshilltar i kryeministrit në detyrë, në një emision në Televizionin 7, deklaroi se individë brenda UÇK-së kanë kryer krime ndaj civilëve të pafajshëm pa marrë parasysh përkatësinë etnike e fetare.
“Janë faktet nga raportet e organizatave joqeveritare ndërkombëtare, të cilat flasin për krimet që individë nga radhët e UÇK-së i kanë bërë ndaj civilëve të pafajshëm dhe mendoj që këta duhet të dënohen”, kishte thënë Gashi.
Kjo çoi në reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Kurti, i cili njoftoi shkarkimin e Gashit.
“Sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi. Disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë. Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim. E falënderoj për kontributin e dhënë. E çmoj për mendimin kritik. Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, ka shkruar Kurti.
Gjatë së premtes, në një postim në Facebook, Shkëlzen Gashi ka sqaruar se nuk ka thënë që UÇK-ja ka kryer krime, por individë brenda saj.
Ky zhvillim i shton debatet në politikën e trazuar të Kosovës, pas mocionit të mosbesimit të qeverisë së Albin Kurtit, e cila po përballet me krizën e koronavirusit si qeveri në detyrë.



