
Hetimet e SPAK ndaj kompanisë Bankers Petroleum duhet të çojnë, sipas ekspertëve dhe gazetarëve investigativë, te një bankë në Austri, e cila dyshohet se ka ndihmuar kompaninë të shmangë detyrimet tatimore ndaj shtetit shqiptar.
Gazetari Mariglen Kume, në një intervistë për “MCN Live”, deklaroi se kjo bankë në Vjenë është shndërruar në një lloj strehe financiare, përmes së cilës Bankers Petroleum ka ekzekutuar planin e saj për shmangien e taksave.
Sipas Kumes, dëmi kryesor nga kjo skemë bie mbi shtetin shqiptar dhe buxhetin e vendit.
Bankers funksionon në Shqipëri, aktivitetin e ka këtu, partnerët i ka këtu, por llogarinë kryesore financiare e ka në degën qendrore në Vjenë, Austri.
Kjo shpejgon se çdo shitje e naftës që realizon Bankers, të ardhurat përfundojnë në llogaritë bankare në Austri. Ndërkohë, për çdo detyrim që kompania krijon në Shqipëri, qoftë ndaj partnerëve, bashkëpunëtorëve apo shtetit për taksa dhe tatime institucionet shqiptare nuk kanë mundësi reale veprimi.
Shteti shqiptar nuk ka çfarë të bllokojë, sepse kompania nuk mban llogari aktive me para në Shqipëri. Kjo e bën të pamundur mbledhjen e detyrimeve dhe borxheve tatimore.
Ai shtoi se kjo skemë është realizuar edhe me tolerancën, apo sipas tij, me “bekimin” e strukturave lokale dhe institucioneve përgjegjëse, përfshirë administratën tatimore dhe organet mbikëqyrëse.
Kjo bankë në Austri është kthyer në instrumentin kryesor për zbatimin e planit të Bankers Petroleum për shmangien e detyrimeve fiskale, është bërë si strehë për të ekzekutuar planin e Bankers Petroleum për të shmangur detyrimet.
Pala më e dëmtuar nga kjo situatë është shteti shqiptar, pasi humbjet financiare reflektohen drejtpërdrejt në buxhetin e vendit dhe në interesin publik.



