
Fëmijët që dëgjojnë dy gjuhë që në moshë të vogël shpesh konsiderohen se kanë vështirësi në ndarjen e tyre dhe se i ngatërrojnë gjuhët.
Megjithatë, sipas logopedes Iva Muskaj, e ftuar në emisionin “Zgjohu me MCN”, ky perceptim është një mit i përhapur në shoqëri.
Dygjuhësia nuk shkakton vonesë në të folur, as çrregullime në artikulim, morfologji apo sintaksë. Përkundrazi, ekspozimi ndaj dy gjuhëve që në fëmijëri e stërvit trurin e fëmijës për të njohur dhe përdorur modele të shumëfishta gjuhësore.
Dygjuhësia nuk i ngatërron fëmijët dhe nuk sjell asnjë vështirësi shtesë në të folur.
Ideja se fëmijët dygjuhësh vonohen në zhvillimin e gjuhës është e pavërtetë.
Logopedja shton se ajo që duhet theksuar është mënyra dhe koha se si i prezantohet fëmijës gjuha e dytë.
Gjuha amtare duhet të jetë baza e zhvillimit gjuhësor të fëmijës.
Gjuha amtare është rrënja. Nëse rrënjët janë të forta, edhe degët, në këtë rast gjuhët e dyta, do të zhvillohen mirë.
Në rastet e familjeve me prindër që flasin gjuhë të ndryshme, rekomandohet që në ambientin familjar të zhvillohet fillimisht gjuha mëmë.
Më pas, fëmija ka aftësinë ta përvetësojë natyrshëm gjuhën tjetër përmes mjedisit shoqëror dhe shkollimit.



