Një terapi e re për kancerin e gjirit që premton të shkatërrojë tumoret brenda trupit është zhvilluar në Wrocław në Poloni. Teknologjia, e quajtur Nanocargo, mund të shmangë një operacion të dhimbshëm - dhe tashmë ka fituar Çmimin më të lartë të Radarit të Inovacionit në BE.
Terapia është e njohur si Nanocargo dhe përfshin injektimin e nanogrimcave direkt në një tumor.
Ajo është zhvilluar nga një ekip studiuesish në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Wrocław dhe vjen si zbatim i një projekt të BE.
Një eksperiment me një shishkë që përmban mijëra nano grimca na lejon të shohim disa nga efektet e këtij trajtimi të ri. Brenda trupit, nanopjesëzat nxehen nga lazeri dhe nga një fushë magnetike. Thjesht nxehtësia i shkatërron qelizat kancerogjene. Në të njëjtën kohë, ilaçet e kimioterapisë lirohen nga nanopjesëzat brenda tumorit.
"Pra, ne kemi një bërthamë e cila është magnetike dhe ajo reagon me fushën magnetike. Jashtë ka një shtresë shtesë metalike e cila ngacmohet me lazer. Mbi të, ne kemi bashkangjitur edhe ilaçin e dedikuar, i cili përdoret gjatë kimioterapisë së kancerit të gjirit", shpjegoi për Euronews dr. Joanna Bauer, e cila drejton ekipin që ka punuar për terapinë.
Çmimi i BE-së për Inovacionin
Nanocargo është krijuar nga shkencëtari indian dr. Nanasaheb Thorat në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Wrocław.
Së bashku me kolegët e tij polakë atij iu dha Çmimi Radar i Inovacionit i BE për kërkimin, që ai shpreson se do të ndryshojë thelbësisht terapinë e kancerit.



