
Piktura e Ledës, mbretëreshës së bukur të Spartës, dhe Jupiterit, mbreti i perëndive romake, është “surpriza” e radhës që del nga rrënojat e Pompeit.
Në formë sensuale dhe eksplicite, afresku paraqet një moment intim mes mbretëreshës së Spartës dhe Jupiterit, që është shndërruar në mjellmë. Piktura murale është gjetur në dhomën e gjumit të një shtëpie në Pompei.
Drejtues të grupit të arkeologëve që po kryejnë gërmime në qytetin që dikur u mbulua nga llava e vullkanit Vezuv e cilësojnë këtë gjetje si unike dhe të jashtëzakonshme.
Drejtori i Parkut Arkeologjik, Massimo Osanna, thotë se vepra është një referencë e mitit grek, që ishte i përhapur edhe në Pompei.
“Nuk është gjetur asnjëherë një vepër me ikonografi kaq sensuale, që duket e ndikuar nga modeli skuplturor i Timoteut, skulptor grek i shekullit IV para Krishtit”, thotë ai.
Studiuesit thonë se banesa në të cilën u gjet piktura murale mund të ketë qenë e ndonjë tregtari të pasur, i cili është përpjekur të ngrejë statusin e tij shoqëror nëpërmjet veprave që për kohën ishin në nivelin më të lartë të kulturës.



