Meta, mesazh ngushëllimi familjes së Andrea Stefanit: Ishte luftëtar i lirisë së fjalës

Meta, mesazh ngushëllimi familjes së Andrea Stefanit: Ishte luftëtar i lirisë së fjalës

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së gazetarit dhe analistit Andrea Stefani, i cili u nda nga jeta të shtunën pas një sëmundjeje të pashërueshme. Në mesazhin drejtuar bashkëshortes dhe fëmijëve të gazetarit Stefani, Meta shprehet se Stefani ka qenë luftëtar i lirisë së fjalës dhe për këtë të gjithë shqiptarët i detyrohen mirënjohje.

E dashur Enkelejda,

Të dashur Daniel e Stefani,

Kam provuar trishtim, dëshpërim dhe një dhembje të pafund kur mësova lajmin e hidhur e të pabesueshëm për Andrean. E dija që kishte muaj që kishte nisur një betejë të fortë, të madhe, të rëndësishme, por isha i bindur se ajo nuk do të ishte beteja e fundit e këtij luftëtari të paepur.

Isha i bindur se Andrea do të triumfonte në këtë betejë vetjake që nuk e bënte thjesht dhe vetëm për veten e tij, por e bënte edhe për Ju, familjarë e të afërm të tij, e bënte edhe për ne, të njohurit e tij të shumtë, edhe për gjithë atë armatë të madhe lexuesish dhe shikuesish shqiptarë, të cilët e lexonin dhe e shikonin botën tonë të vogël, edhe nëpërmjet fjalës së tij të lirë.

Isha i bindur sepse Andrea, për aq sa e kam njohur, në të gjitha betejat publike me fjalë që ai kishte hyrë dhe i kishte luftuar, asnjëherë nuk nisej nga interesi i tij vetjak, por vinte përpara një interes shumë më të madh të të gjithë shoqërisë. Ashtu siç e shihte ai vetë. Ashtu siç besonte ai vetë, si një shpirt i shqetësuar për lirinë dhe që kurrë nuk bëri kompromis për të vërtetat e tij.

 Andrea është nga ata njerëz të rrallë për të cilët nuk pritet asnjëherë ikja për të kuptuar sesa e rëndësishme ka qenë prania e tyre. Andrea ishte i pazëvendësueshëm si mik dhe i respektueshëm si kundërshtar. Kush e ka njohur në këto dy anë të shfaqjes së tij publike, ndoshta ka pasur fatin të njohë edhe lirinë e tij që ai e vuri pa hezitim në shërbim të publikut. Pjesë e një grupi të vogël gazetarësh të fillimviteve 90-të, në kohën kur Shqipëria po ndryshonte me shpejtësi, Andrea është githashtu pjesë e portretit të shqetësuar e të gjithë shoqërisë shqiptare. Me shumë dilema, me shumë vështirësi, me rrëzime dhe ngritje, por dhe me besimin e pandryshueshëm se vetëm liria dhe ndeshja për lirinë, do të sillte të nesërmen më të mirë për të gjithë shoqërinë. Dhe Andrea ka qenë luftëtar i lirisë dhe lirisë së fjalës që e kultivoi si pakkush. Secili nga ne i ka një borxh mirënjohjeje Andrea Stefanit!

Ikja e tij ka lënë një dhembje të madhe për familjarët e tij, për bashkëshorten Enkelejda dhe dy fëmijët Daniel dhe Stefani dhe një boshllëk të madh për gjithë shqiptarët, të cilët nuk qenë kurrë indiferentë ndaj fjalës së tij, pavarësisht se e donin apo e kundërshtonin atë. Unë bashkoj sot me të gjithë Ju, dhembjen time dhe ju shpreh gjithë trishtimin tim për humbjen e këtij njeriu të veçantë, kalorës fisnik dhe luftëtar të madh të fjalës. Sinqerisht, Ilir META

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy