
Ozempiku është një medikament që përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2, por për shkak të popullaritetit të tij në rrjetet sociale, ka nisur të përdoret gjithashtu për dobësim.
Ky ilaç, që fillimisht ishte krijuar për të kontrolluar glukozën në trup, po përdoret nga shumë persona që nuk kanë problematika me diabetin, por që dëshirojnë të humbin peshë.
Nikola Ndoni, këshillues i Mjekësisë Holistike, dhe Remil Peqini, trajner personal, të ftuar në programin "Zgjohu në MCN", shprehin shqetësim për përdorimin e Ozempikut si një metodë dobësimi.
Ata theksojnë se ky ilaç mund të sjellë pasoja serioze për ata që e përdorin pa pasur ndonjë nevojë mjekësore.
Ndoni shpjegon se Ozempiku është një ilaç që bën pjesë në grupin e medikamenteve të semiglutideve dhe ka filluar të përdoret rreth 10 vite më parë.
Qëllimi i tij fillestar ishte trajtimi i diabetit të tipit 2, por përdorimi i tij për dobësim ka rritur ndjeshëm kërkesën për këtë ilaç.
Ky ilaç vepron duke penguar absorbimin e glukozës nga trupi, duke i dhënë ndjesinë e ngopjes dhe duke ndikuar në qendrën e shpërblimit në tru, duke frenuar prodhimin e hormoneve që lidhen me dëshirat për ushqim.
Përdorimi i tij ka efekte anësore të rënda. Studimet kanë treguar se përdorimi i Ozempikut rrit 195% depresionin, 106% ankthin dhe 108% tendencën për vetëvrasje.
Efektet anësore, si rritja e depresionit, ankthit dhe tendencës për vetëvrasje, janë shqetësuese, ndërkohë që humbja e masës muskulare dhe rritja e dëshirës për ushqime të dëmshme pas ndërprerjes së përdorimit janë disa nga pasojat që ndodhin më vonë.
Një tjetër rrezik i madh, është humbja e masës muskulare gjatë periudhës së përdorimit.
Përveç humbjes së peshës, rreth 40% e kësaj peshe është masë muskulare, dhe nëse e ndërpret përdorimin, mund të rikuperoni shumë shpejt peshën, por pa muskuj dhe me më shumë dhjamë.
Peqini gjithashtu ka shqetësime për përdorimin e shpejtë dhe të pazakontë të Ozempikut.
Ai thekson se, megjithëse ky ilaç mund të ketë efekte pozitive në uljen e peshës, përdorimi i tij pa pasur nevojë për trajtim mjekësor ka pasoja të padukshme për shumë njerëz.
Ky ilaç është një injeksion që bën të mundur ndërprerjen e oreksit dhe rënien e peshës duke ulur nivelin e insulinës në trup.
Po, është efektiv në disa raste, por njerëzit që e përdorin për 2-3 javë shpesh nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet që ndodhin më vonë.
Shumë njerëz kanë shpejt rezultate pozitive gjatë javës së parë ose të dytë, por disa nga pasojat e mundshme shfaqen më vonë, duke përfshirë probleme me metabolizmin dhe shëndetin mendor.
Përdorimi i medikamenteve të tilla duhet të bëhet vetëm nën mbikëqyrjen e një mjeku dhe jo si një zgjidhje e shpejtë për dobësim.



