Greqia e sheh me shumë interes bashkëpunimin me Kinën, në kuadër të iniciativës kineze Belt&Road. “Ka potencial të madh për të thelluar më tej bashkëpunimin kino-grek në kuadrin e Nismës BR”, i kanë thënë zyrtarët dhe biznesmenët grekë agjencisë kineze Xinhua në intervistat e fundit me rastin e panairit China International Import Expo, që do të mbahet në Shangai muajin e ardhshëm.
Vitet e fundit, bashkëpunimi dypalësh ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme, shkruajnë mediat greke. Arritjet janë vlerësuar edhe nga palë të treta, për shembull projekti madhor i zgjerimit dhe azhurnimit të portit të Pireut me investimet e Cosco Shipping.
"Partneriteti greko-kinez në Pire është bërë gur themeli i marrëdhënies aktualisht dinamike midis dy vendeve tona", tha Betty Alexandropoulou, drejtoreshë ekzekutive dhe anëtare e bordit të drejtorëve të Enterprise Greece.
"Me investimet kineze, Pireu është shndërruar në portin më të ngarkuar të kontenierëve në Mesdhe dhe po zhvillohet më tej si një qendër e rëndësishme për operacione të tjera të mallrave, turizmit dhe riparimit të anijeve", deklaroi Alexandropoulou.
Nisma Belt and Road është një strategji globale e zhvillimit të infrastrukturës e miratuar nga qeveria kineze në 2013 për të investuar në gati 70 vende dhe organizata ndërkombëtare. Konsiderohet si një pjesë qendrore e politikës së jashtme të sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Kinës Xi Jinping.



