Prokuroria e Përgjithshme është kundërpërgjigjur me akuza ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili tha sot se kryeprokurori Adriatk Llalla ka qenë kundër reformës në drejtësi. Në një deklaratë për shtyp, shefja e kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme, Brikena Ballauri, e cilësoi si shantazhuese sjelljen e ambasadorit amerikan gjatë muajve të fundit. Në emër të institucionit më të lartë të akuzës, ajo tha se presionet e Lusë janë tipike sorosiane.
“Sulm i hapur dhe i paprecendetë i ambasadorit të SHBA. Këto sulme nuk janë aspak të reja. Presionet e ambasadorit amerikan janë tipike sorosiane”, tha ajo.
“Sjellja e ambasadori Lu ka qenë shantazhuese. Ai ia ka bërë të qartë prokurorit se nëse nuk do të mbronte ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale”, tha ajo duke iu referuar punës për reformën në drejtësi.
Ballauri përmendi edhe çështjen e kompanisë “Bankers”, për të cilën tha se Lu ka kërkuar ndalimin e hetimeve pas denoncimeve të banorëve të zonës ku operon kompania e naftës.
“Kompania akuzohej nga banorët për dëme në pasuri dhe shëndet. Lu ka kërkuar që hetimi të mos vijonte pasi pasojat do të binin mbi Prokurorin e Përgjithshëm”, tha ajo.



