Rreth 9 000 banorë të zonave në verilindje të Kanadasë janë evakuuar për shkak të zjarreve të furishme.

Banorët e qyteteve të Labrador City dhe Wabush në Newfoundland dhe provincën Labrador u urdhëruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, tha oficeri provincial i shërbimit zjarrfikës Jeff Motty.

"Ne po shohim sjellje ekstreme të zjarrit atje. Zjarri po lëviz rreth 50 metra në minutë," tha Motty.

Imazhet e shpërndara në mediat sociale shfaqin radhë makinash që prisnin të mbusheshin në pikat e karburantit, ndërsa qielli ishte errësuar nga re të mëdha tymi.

"Ishte mjaft tronditëse të shihje kaq shumë tym," i tha transmetuesit publik CBC banorja e Labrador City, Stacy Hunt. "Dhe ka qenë pothuajse në të njëjtin vend për orë të tëra tani."

Në këtë rajon të largët, banorët duhet të evakuohen më shumë se 500 kilometra (310 milje) në lindje përmes rrugës së vetme në dispozicion.

Motty tha se intensiteti i zjarrit e bëri të pamundur përdorimin e bombarduesve me ujë.

Vitin e kaluar, Kanadaja regjistroi sezonin më të keq të zjarreve në historinë e tij.

Kushtet më të thata dhe më të nxehta në shumë pjesë të vendit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike kanë rritur rrezikun e zjarreve të mëdha vitet e fundit, sipas ekspertëve.

Kanadaja aktualisht po lufton me 575 zjarre aktive me më shumë se 400 të konsideruara jashtë kontrollit. Shumë zjarre kanë shpërthyer ditët e fundit, veçanërisht në perëndim të vendit që ka përjetuar një valë të nxehti.