
Dy mjekët e spitalit të Fierit, të cilët u merrnin ryshfet qytetarëve në këmbim të shërbimit, janë arrestuar ditën e sotme. Ata u filmuan nga kamerat e emisionit investigativ 'Stop', teksa i morën lekë qytetarëve.
Strukturat e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me Task Forcën e Prokurorisë Fier, morën masa të menjëhershme policore e procedurale me qëllim, identifikimin dhe shoqërimin e tyre si edhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë korruptive të dy mjekëve.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike", i shtetasve Agim Sula 54 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek psikiatër pranë Spitalit Rajonal Fier dhe Eduart Shyti, 47 vjeç, banues në Kuçovë, me detyrë mjek ORL pranë Spitalit Rajonal Fier.
Këta persona, në data të ndryshme gjatë ushtrimit të funksionit ju kanë marrë një sasi lekësh qytetarëve të ndryshëm që shkonin për vizita mjekësore. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për hetime të mëtejshme.



