Eksperti i ekonomisë Pano Soko foli në MCN Live mbi faktin që pas një viti po merren mostrat për t’u analizuar nga mbetjet e Kurumit. Soko thekson se mund të kemi të bëjmë me një skemë, ku janë fshehur gjëra. Ai ngre pyetjen se ku kanë shkuar mbetjet në mbi 20 vjet punë të kompanisë, duke shtuar se nuk përjashtohet që ato të jenë fshehur diku në Shqipëri, çfarë do të përbënte një bombë ekologjike.
“E di pse ka ndodhur kjo, vetëm pas presionit mediatik. Edhe televizioni juaj këtu. Po të mos kishte qenë ky presion publik, ato do vazhdonin të ishin aty. Gjëja e parë merren prova. Ti si Prokuroria, gjëja e parë që bën…Mbi çfarë prove i bllokon? Pse ka thënë Indonezia, apo ky i Bazelit? Merret mostra, bëhet analiza. Shikohet Kodi Penal. Nuk lejohet ky. Ua ka mbyllur gojën Kurumi këtyre, të majtë-të djathtë, media. Edhe Prokurorisë i ka ngecur kjo gjëja. Ndodhi gjëja tani. Si do menaxhohet? Dëmi kolateral. Edhe sot që ka ecur përpara është falë këtij presioni.
Duhet të dimë kush është impakti dhe çfarë duan të ndodhë me këtë ngjarje të gjitha institucionet? Ka nivel të lartë mosbesimi sa i takon mostrës. Mund të jemi përballë një skeme, sepse e dinë ata gravitetin financiar të ngjarjes, që përcakton edhe rrjedhën e ngjarjes. Fshihen ca gjëra në Shqipëri. Kjo ngjarje hap një sipar të një asjbergu ngjarjesh. Po të shohim poshtë, do shohim që ajo poshtë është 10 herë më e madhe se kjo që kemi parë. Është 20 e ca vjet punë. Prandaj këta s’duan ta hapin as derën. Ku i ke çuar 20 e ca vjet?! Një zot e di çfarë është djegur në landfill. Janë 20 e ca vjet që prodhohen mbetje të tilla. Ku i kanë çuar?! Diku janë fshehur në ndonjë shpellë. Unë si qytetar çfarë frike kam, këta çfarë kanë bërë me mbetjet? Nëse i kanë çuar jashtë dhe kanë bërë evazion, hallall u qoftë, t’i kapi ligji t’i dënojë ligji. Unë kam frikën mos jemi përballë një bombe ekologjike”.



