
Ish-kryeministri pakistanez Imran Khan akuzohet nga policia për vrasjen e një avokati në qytetin jugperëndimor të Quetta, teksa ndaj tij është ngritur zyrtarisht akuza për “përkrahje në vrasje”.
Avokati Abdul Razzaq Shar, i cili kishte paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Lartë të Balochistanit në Quetta, duke kërkuar hapjen e një gjyqi për tradhti ndaj Imran Khan, u vra të martën nga persona të armatosur të panjohur.
Djali i avokatit të vrarë denoncoi menjëherë Imran Khan, duke pretenduar se babai i tij u vra me urdhër të ish-Kryeministrit.
Javën e kaluar, Khan u lirua me kusht i akuzuar për terrorizëm për nxitje të dhunës kundër ushtrisë nga mbështetësit e tij protestues, pasi u arrestua dhe u ndalua më 9 maj në një rast korrupsioni.
Khan është përfshirë në një konfrontim me ushtrinë e fuqishme, e cila ka sunduar drejtpërdrejt Pakistanin ose ka mbikëqyrur qeveritë civile gjatë gjithë historisë së tij.
Arrestimi i tij i 9 majit shkaktoi protesta të gjera nga mbështetësit e tij të cilët plaçkitën objektet ushtarake, duke ngritur shqetësime të reja për stabilitetin e kombit të Azisë Jugore të armatosur me armë bërthamore, ndërsa lufton me krizën më të keqe ekonomike në dekada.



