Do të jetë një dimër i vështirë për banorët pranë ish-fabrikës së letrës në qytetin e Lezhës. Shirat kanë vështirësuar lëvizjen pasi rruga është mbushur nga uji.
Kështu është prej vitesh dhe pa asnjë ndërhyrje. Për këmbësorët situata bëhet edhe më e vështirë, pasi nuk mungojnë rastet kur atyre u duhet të futen në ujë për të shkuar drejt qytetit apo për tu rikthyer në shtëpi.
Janë rreth 700 m rrugë që ka nevojë të rikonstruktohet në një lagje që ndodhet jo më shumë se 300 m nga qendra e qytetit.
Banorët ironizojnë me faktin që atyre u nevojitet vetëm avioni për të lëvizur, pasi nëse s’kanë automjet kjo rrugë në kohë me shira bëhet e pakalueshme.
Në bashkinë e Lezhës bëhet e ditur se po vlerësohen të gjitha ndërhyrjet e nevojshme në akset që janë më problematike, e për të cilat do të shikohet mundësia e ndërhyrjes me fondet e veta.
Deri në zgjidhjen që do të afrojë bashkia, këta banorë edhe këtë dimër do të kenë vështirësi në lëvizje.



