
Rritja e pensionit minimal, rritja e pagës minimale dhe mesatare, ishin mes pak çështjeve që i mbijetuan fushatës me shumë elemente spektakli të kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë iu rikthye këtyre temave i imponuar nga diskursi i kundërshtarit, që kishte një program që përqendrohej kryesisht te ekonomia. Megjithatë shumë çështje të tjera, jo më pak të rëndësishme dhe që prekin drejtpërdrejt përditshmërinë e qytetarëve kanë mbetur në hije.
Një ndër to është skandali i mikrokredive, një skemë mashtruese që zhvati 17 mijë qytetarë shqiptarë që prej vitit 2015. Qeveria ka shmangur sistematikisht marrjen e përgjegjësisë për rregullimin e tregut financiar informal dhe mbrojtjes ligjore për huamarrësit.
Dyshohet se sipas hetimeve qytetarëve iu zhvatën të paktën 36.8 milionë euro dhe 1700 prona të paluajtshme, përmes skemës së rifinancimit të kredive të këqija dhe shantazhit.
Largimi masiv i qytetarëve që është kthyer në një hemorragji përgjatë viteve të fundit, duke paralajmëruar kosto të mëdha ekonomike dhe sociale, është një tjetër çështje me peshë e anashkaluar nga kreu i qeverisë.
Ndryshe nga largimet e dekadave të para të post-komunizmit, vala e fundit e largimeve ka prekur “trurin” e shoqërisë, pikërisht të rinjtë dhe profesionistët, të cilët kërkojnë një të ardhme më të sigurt larg Shqipërisë. Shpopullimi ishte pjesë e ligjërimit të Ramës si kryetar opozite një dekadë më parë, por duket se sot kreu i qeverisë nuk ka shumë për të thënë.
Shëndetësia dhe skandalet në shëndetësi, janë një tjetër temë e pa rrokur në fushatë. Shëndetësia falas ishte karta kryesore e PS-së në opozitë, një premtim që ia la vendin një serie skandalesh në qeveri, nga abuzimet e dyshuara me koncensionet PPP, për të cilat është nën hetim edhe një ish-ministër, Ilir Beqaj.
Mungesa e barnave, disa kurave dhe mosfunksionimi i aparaturave e pajisjeve të trajtimit te Onkologjiku është një tjetër çështje jetike, me të cilën përballen të sëmurët me sëmurët me sëmundje tumorale, e cila është lënë në heshtje në fushatë.
Uji, burimet natyrore, është një tjetër çështje tepër shqetësuese sidomos për komunitetet lokale, që nuk është përmendur në ligjërimin e fushatës.
Marrja apo devijimi në mënyrë të dyshimtë të burimeve natyrore, për projekte ujësjellësish që furnizojnë zona rezidenciale, procese të kryera kryesisht me konsultime publike fiktive, janë një praktikë që rrezikon demografinë e zonave të tëra.
Protestat e fshatrave që shtrihen përgjatë luginës së lumit Shushica, kundër projektit të ujësjellësit të Himarës, ishte vetëm rasti i fundit i revoltës qytetare për mbrojtjen e burimeve ujore. Thirrjet e qytetarëve “Uji është jeta!”, kanë rënë në vesh të shurdhët në fushatë.
Zonat e mbrojtura janë një tjetër temë që në pamje të parë duket se nuk e prekin jetën e qytetarëve, por ato mund të ndikojnë jo pak në afatgjatë, për më tepër kur flitet për turizmin si sektor prioritar dhe zhvillim të qëndrueshëm të tij.
Ligji për zonat e mbrojtura, sipas ekspertëve krijon hapësira për abuzim dhe mund t’u hapë dritën e gjelbër ndërtimeve duke rrezikuar biodiversitetin dhe trashëgiminë natyrore.
Një tjetër temë që mori jehonë, jo vetëm në mediat shqiptare por edhe ato ndërkombëtare, është ideja e kryeministrit Rama për një shtet të ri bektashi. Kjo nismë është fashitur nga diskursi publik i fushatës. Komuniteti Mysliman, që përfaqëson shumicën e besimtarëve në Shqipëri, u shpreh i shqetësuar nga nisma në fjalë, duke theksuar se ajo “përbën një precedent të rrezikshëm” për të ardhmen e vendit.



