Michelle Hunziker është në kërkim të një dadoje për fëmijët e saj. Prezantuesja italiane, ish-bashkëshorte e këngëtarit Eros Ramazzoti, thotë se shkëmben dhjetëra mesazhe në ditë me vajzën e madhe, Aurorën, të cilën tashmë e ka si shoqe. Në një intervistë për revistën italiane “Grazia”, Michelle thotë se shtëpia dhe vajzat e vogla kanë nevojë për të.
“Krijoj varësi. Tomaso (bashkëshorti) thotë se kur nuk jam unë në shtëpi, vajzat ankohen, qentë nuk hanë, të gjithë duan mamin. Sigurisht edhe unë kam të metat e mia: p.sh. nuk arrij kurrë të gjej dadon e duhur. Do të doja që ajo të ishte një lloj Mary Poppins-i: inteligjente, simuluese, sportive, të dijë të këndojë, t’i bëjë fëmijët të qeshin… por edhe e pastër. Duhet të jetë shumë e pastër dhe e rregullt, e bukur, e qeshur, e rezervuar… Mos po e teproj? Kushedi, ndoshta një person që i ka të gjitha këto cilësi po na lexon pikërisht tani”, thotë ajo.
Hunziker rrëfen se u ka bërë një premtim të bijave: të kthehet në shtëpi përnatë. “Qëkur ka lindur Aurora (vajza e madhe, 20 vjeçe) kam pranuar vetëm kontrata që nuk më detyronin të ndahesha prej saj. Kështu bëj edhe tani. Punoj shumë në Gjermani dhe më ndodh të ngrihem në 4 të mëngjesit për të hipur në avion. Iki, punoj gjithë ditën dhe kap një fluturim nate për t’u kthyer. Nëse nuk arrij të gjej një të tillë, i lejoj vetes luksin e një avionic privat të marrë me qera. Kjo sepse duhet patjetër të kthehem në shtëpi, qoftë edhe për dy orë”, tregon ajo.
Mary Poppins – Personazhi kryesor i librit me të njëjtin titull i shkrimtarit P.L.Travers. Mary Poppins është një dado me aftësi magjike për t’i bërë të gjitha dhe për t’iu përshtatur dëshirës së fëmijëve për aventura.



